Viti 1944, si u dha urdhëri
për luftë në Jugosllavi

Gjin Marku, Komandant i Divizionit VI-S.
Lufta në Jugosllavi
 
Formimi dhe përbërja e Divizionit VI Sulmues
Në fundin e vitit 1944, në Shkodër u formua Divizioni VI-S, në përbërje të të cilit ishin katër brigada, përkatësisht: Brigada VI-S, Brigada VII-S, Brigada VIII-S dhe Brigada XXII-S. Komandant i këtij Divizioni ishte Gjin Marku, i cili, duke qenë në krye, komandoi veprimet luftarake të tij edhe jashtme kufirit për çlirimin e Jugosllavisë, gjatë dhjetorit 1944 deri në verë të vitit 1945. Krahu i veprimeve luftarake ishte nga Shkodra në Mal të Zi dhe deri në Vishegrad.

Lufta për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës, kërkonte doemos që mes formacioneve partizane të bëhej kombinimi dhe koordinimi i veprimeve luftarake. Në këto kondita lufte u formua Divizioni VI-S. Caktimi i Gjin Markut si Komandant i Divizionit bazohej në sukseset e mëdha që kishte Brigada VII-S, në veprimet operacionale luftarake që në Berat, Myzeqe, Mirditë, Lezhë dhe Shkodër, komandant i së cilës qe Gjin Marku. Këtë Divizion e përbënin:

Brigada VI-S, në përbërje të së cilës kishte partizanë nga Kurveleshi, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Himara, Çamëria, Vlora, Elbasani, Saranda, Delvina, Shkodra, Puka, Tropoja e krahina të tjera. Në përbërje të kësaj brigade bënin pjesë 5 batalione: “Asim Zeneli”, “Baba Abaz”, “Naim Frashëri”, “Abaz Shehu” dhe “Zaho Koka”. Shumica e partizanëve ishin të sprovuar në luftë dhe në kuadër të kësaj brigade kishin marrë pjesë në çlirimin e shumë krahinave dhe të disa qyteteve. Komandant i kësaj brigade ishte Major Jaho Gjoliku dhe komisar Major Xhule Ciraku.

Brigada VII-S, me partizanë nga Skrapari, Berati, Përmeti, Korça, Fieri, Lushnja, Mirdita, Lezha, Shkodra etj., ishte brigadë e vjetër dhe e kalitur në luftë. Kjo brigadë çliroi Beratin, Fierin, Lushnjën, Mirditën, Lezhën dhe qe forcë e rëndësishme në çlirimin e Shkodrës. Partizanët e saj kishin luftuar kudo heroikisht dhe i kishin bërë ballë me sukses operacioneve të mëdha armike. Në të qenë inkuadruar, siç ne e kemi përmendur edhe më parë, çetat e batalionet e para partizane të Qarkut të Beratit e të rretheve të tjera me stazh të gjatë lufte. Kjo brigadë deri në formimin e Divizionit ka pasur komandant të saj Kolonel Gjin Markun, më pas u caktua Major Musa Daci, ndërsa komisar Major Qazim Kapisyzi.

Brigada VIII-S, një brigadë me luftëtarë trima dhe të kalitur në vështirësitë e luftës. E veçanta e kësaj brigade ishte se partizanët e saj kishin përballuar 18 ditët e netët e luftës për çlirimin e Tiranës. Në përbërje të saj kjo brigadë kishte katër batalione. Komandant i kësaj brigade qe caktuar Major Feti Smokthina dhe komisar Major Rasim Bazo.
Brigada XXII-S, bartte e përcillte frymën luftarake të Çetës së Pezës, pasi kishte në gjirin e saj gjithë luftëtarët e vjetër të Pezës, me një përvojë të rrallë lufte. Në të ishin të inkuadruar 4 batalione: Batalioni “Maliq Muça”, Batalioni “Erzeni”, Batalioni “Kajo Karafili” dhe Batalioni i Shijakut. Për komandant kjo brigadë ka pasur Major Sali Verdhan e komisar Major Nimet Ymerin.

Sipas të dhënave që sjell veterani i Brigadës VI, publicisti Resul Bedo, ky divizion pati në momentet e kalimit në Jugosllavi gjithsej: “18 batalione, 6 050 partizanë, me 429 mitraloza të lehtë, 100 mitraloza të rëndë, 40 murtaja, 16 murtaja 81 mm, 22 armë kundërtanke, 8 topa etj.
Më vonë, në radhët e Divizionit VI Sulmues u shtuan me qindra e mijëra shqiptarë të Malit të Zi, të Kosovës, të Sanxhakut etj. Pak më vonë mbi bazën e 6 baterive të artilerisë dhe mortajave u formua Brigada e artilerisë së Divizionit që përbëhej prej 3 grupe artilerie dhe 36 gryka zjarri.

Nga muaji prill 1945 deri në dhjetor të atij viti, me Divizionin VI Sulmues u inkuadrua dhe Brigada III Sulmuese, njëra nga brigadat e para të Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, brigadë me një përvojë dhe rrugë luftarake të gjatë”.
Ky Divizion pati për Komandant gjatë gjithë fushatës luftarake në Malin e Zi, në Bosnjë e Kosovë, Kolonel Gjin Markun. Në këtë kohë ky antifashist me famë ishte vetëm 26 vjeç. Komisar i Divizionit u caktua Kolonel Njazi Islami (një kohë dhe Myzafer Spaho).
 
Divizioni VI zhvillon beteja të përgjakshme duke e ndjekur bishën naziste deri në Bosnjën Jugore, gjithmonë nën komandën e Gjin Markut.
 
Duke u bazuar te ky dokument me vlerë të jashtëzakonshme, është e lehtë të konkludohet se betejat e zhvilluara me gjermanët për çlirimin e Tuzit, Podgoricës, Sanxhakut e Vishegradit, si dhe të Mitrovicës, Vuçiternit etj., kanë qenë betejat më të përgjakshme por dhe triumfale të forcave partizane të Divizionit VI Sulmues.
Po pse luftuam në viset e Jugosllavisë?

Që kur Divizioni ynë kapërceu kufirin dhe filloi luftimet e ditëve të para në Mal të Zi (fillimi i dhjetorit 1944), u bë pyetja: “Përse e kapërceu kufirin ushtria jonë?”. Këtë përgjigje e jepte në atë kohë gazeta “Jehona e Shkodrës” ku shpjegon se “Në këtë luftë të pashembullt në historinë e njerëzimit popujt janë vëllazëruar, kanë vuajtur dhe janë shtypur të gjithë po prej të njëjtit armik... Prandaj na të vendosur gjer në fund dhe besnikë të rrugës që kemi marrë, kapërcyem kufijtë shtetërorë për të ndjekur këmba-këmbës Korparmatën XXI gjermane, që është praparoja e ushtrisë hitleriane.

 Mburremi kur me fitoret e reja komunikatat e Shtabit tonë të Përgjithshëm dhe të Aleatëve përmendin brigadat tona heroike. Me fitoret e reja po çimentojmë dhe garantojmë përjetësinë e pavarësisë sonë kombëtare, që jo vetëm do të ishte në rrezik, por nuk do të kishim as edhe të drejtë ta çelim gojën po të mos kishim ndjekur këtë rrugë çlirimtare që sot me kaq besnikëri dhe patriotizëm vazhdojmë ta ndjekim gjer në fund, gjer në shkatërrimin e plotë të armikut të njerëzimit, gjer në vendosjen e paqes, në tryezën e së cilës me plot të drejtë do të marrim pjesë”.

Për muajin dhjetor 1944 deri në mars 1945, ka pasur shumë beteja, deri në luftime trup me trup mes partizanëve të Divizionit VI dhe forcave naziste gjermane. Ditari që përmendëm është dokument që e vërteton më së miri këtë epope të vërtetë lufte të Divizionit VI Sulmues të komanduar nga Gjin Marku. Ka shumë detaje që tregojnë ndjenjën vëllazërore mes popujve sllavë dhe partizanëve legjendarë shqiptarë të këtij Divizioni që konsideroheshin si shpëtimtarë dhe që shiheshin me një respekt e mirënjohje të thellë prej këtyre popujve. Ne nuk e kemi në objekt paraqitjen e gjithë kësaj historie të madhe të luftës sonë, por shumë pak ngjarje e momente të tjera.
 
Në Hot dhe Grudë e Deçiç
“Kolonel Gjin Marku, Komandant i Divizionit, me shkresën nr. 45, njofton Brigadën VI Sulmuese: “Në bazë të urdhrit telegrafik të Shtabit të Përgjithshëm urdhërohet që Brigada VI të kalojë kufirin shqiptaro-jugosllav, në afërsi të Kuçit dhe të arrijë sa më parë në Deçiç afër Tuzit”.
Atë ditë, ... Brigada me ndeshje e përpjekje me praparojat e pushtuesve mori kontakt me malësorët e këtyre anëve. Bëhen takime të përzemërta e këmbehen fjalë... Në takimin e parë, fill pas Komandantit të Brigadës e mori fjalën dhe një malësor: “I qëndruem shpatës së turkut si na e kërkosh tjetër, o komandant. Me shtatë krajla e kanë ndezë luftën këto male, çdo oxhak e prag është la me lot e xhamë. Në krah na keni, në një llogore me brigadën partizane! Po a ban me ju pyet: Si do të jetë e nesërmja?

Ditët pa dritë ardhmërije na kan munduar o komandant...”. “Ka, - pohoi plot besim komandant Jaho Gjoliku dhe shpjegoi, - është lufta jonë e shtrirë në një front të gjerë nga buza e detit Adriatik e deri në Kosovë. Është lufta e të gjithë popujve ku jemi rreshtuar në llogore të përbashkët edhe ne shqiptarët. S’ka për të ndenjur Evropa përherë e përgjumur që të hedhin valle egërsirat në shpinë të popujve. E nesërmja e Evropës është e njerëzve dhe jo e bishave...”.

 Pas disa betejave në Tuz, Deçiç dhe sidomos në Podgoricë, Divizioni VI, më 19 dhjetor 1944, në bashkëpunim dhe me forcat jugosllave çliroi Podgoricën. Për këto luftime jepen disa njoftime nga disa radio të botës; Radio Moska njofton se “...tentativat e gjermanëve për të hapur rrugën nga Sanxhaku, me qëllim që t’i vijnë në ndihmë grupit të rrethuar në Podgoricë kanë dështuar dhe gjermanët kanë pësuar humbje të përgjakshme”.
Më 19 dhjetor nyja kryesore ku ishin përqendruar forcat gjermane, Podgorica, u çlirua. Në luftimet për çlirimin e Podgoricës, nga data 17 dhjetor deri më 19 dhjetor, humbjet nga të dy palët janë:

Humbjet e armikut:
- Të vrarë – 250 ushtarë e oficerë.
- Të plagosur rreth 300.
Humbjet tona:
- Të vrarë – 30.
- Të plagosur – 50 veta.
Ndërsa për luftën e rreptë në Kolashin (në ditën e fundit të vitit 1944), Radio Londra njoftoi: “Në Mal të Zi, divizioni shqiptar, mbas luftimesh të ashpra, çliroi Matoshevon dhe Kolashinin, duke arritur në portat e Majkovacit”.

... Në përfundim të luftimeve për çlirimin e Malit të Zi, nga divizioni ynë ranë në luftime 116 luftëtarë, 223 u plagosën. Disa nga të plagosurit vdiqën më vonë nga plagët e rënda që kishin marrë në luftime ... Gjatë varrimit të disa dëshmorëve partizanë e mori fjalën një malazez nga krahina e Kuçit dhe tha: “Ju shkelët mbi çdo gjë të keqe që veçonte e ndante popujt tanë, bëtë atë që dukej se s’do të bëhej kurrë... Gjaku që lagu këtë tokë s’ka për t’u bërë kurrë ujë. Përherë do t’i kujtojmë. Përherë do të themi: Shqiptarët erdhën në trojet tona dhe u vranë për ne, dhe sa herë do t’i hedhim sytë te ky vend do të themi: Këta janë varret e shqiptarëve që erdhën në ditë rreziku dhe na ndihmuan ne malazezëve”.
 
Në Bosnjë: drejt Vishegradit, drejt Sarajevës (janar-mars 1945)
Natën e Vitit të Ri Komandanti Gjin Marku shpërndan thirrjen nr. 2 të Komandës së Divizionit, në të cilën thuhet: “Partizanëve dhe partizaneve drejtues ushtarakë e politikë të Divizionit VI-S. Shpresat e fitores së fashizmit perënduan. Armatat e Ushtrisë së Kuqe dhe Ushtritë Aleate po e mbyllin vitin 1944 me suksese të shkëlqyera. E gjithë bota po godet me ashpërsi bishën naziste, po e varros ... dhe bashkë me popujt e tjerë që luftojnë fashizmin, figuron edhe emri i Ushtrisë sonë heroike...

Shokë e shoqe! Breshëritë e plumbave dhe të granatave që ju hodhët në këto gërxhe e lugina gjakosën edhe më tej hitlerianët. Tani e gjithë toka e Malit të Zi u çlirua. Një muaj, ditë e natë vazhduan luftimet, por ju si gjithnjë i bëtë ballë armikut dhe dimrit të fortë. Plotësimi i detyrave të caktuara, sukseset që u arritën gjatë këtij viti ju nxjerrin ju kryelartë në historinë e popullit tonë.
Partizanë e partizane!

Viti 1945 do të jetë viti që do të rrëzojë  nga themelet gërmadhën naziste.
Detyra jonë është: Të ndjekim nazistët këmba-këmbës, t’i godasim kolonat armike kudo, ditë e natë, deri në shpartallimin e plotë të tyre. Urojmë partizanët e partizanet e Divizionit që Viti i Ri 1945 të jetë viti i fitores ... Lavdi dëshmorëve!”.
Ditën e parë të Vitit të Ri 1945 fillon marshimi.
 
Lufta për çlirimin e Vishegradit
Në fakt, që më 12 janar në qytetin e Plevljes, kur Komandanti i Divizionit VI Gjin Marku mblodhi shtabet e brigadave për të sqaruar situatën dhe për të dhënë urdhrin për vazhdimin e mësymjes së armikut deri në Vishegrad, pati filluar beteja për çlirimin e Vishegradit. Betejat rreth qytetit, veçanërisht ato në qytetin Rudo dhe ato të luginës së lumit Lim e Drino, kanë qenë vendimtare për të krijuar kushtet për sulmin mbi Vishegrad. Dita e 14 shkurtit është dita e çlirimit të Vishegradit. Ja çfarë thotë ditari luftarak i Divizionit VI: “... Lufta në qytet zhvillohet nga Brigada VIII-S nëpër dritaret e shtëpive, në skutat e bunkerëve, nga dhoma në dhomë, nga shtëpia në shtëpi dhe nga rrugica në rrugicë. Brigada e kishte eksperiencën e luftimeve në qytet në çlirimin e Tiranës. Ky ishte shkaku që Komandanti i Divizionit, Kolonel Gjin Marku, ia besoi sulmin në qytet kësaj brigade. Në të njëjtën kohë lëviz nga Dobruni në drejtim të qytetit, Brigada XXII-S.

Brigada VI-S kryen veprime mbi hekurudhën që lidh Vishegradin me Sarajevën. Po kështu Brigada VII. Me këto veprime i hiqet mundësia armikut të sjellë forca për të goditur tanët në shpinë. Ishte një veprim i përbashkët i të gjitha forcave të Divizionit VI-S, me një synim të vetëm, çlirimin e qytetit.
Në pasditen e 14 shkurtit qyteti i Vishegradit u çlirua”.

Çlirimi i Vishegradit dhe i rrethinave u arrit me nape varg luftimesh deri trup më trup me ushtrinë hitleriane, bashkëpunëtorë të së cilës qenë dhe çetnikët. Këto luftime që përshkruhen në mënyrë të detajuar në ditarin luftarak të Divizionit VI Sulmues, zgjatën 31 ditë.
 
Bilanci dhe rëndësia e luftimeve
Në luftimet për çlirimin e qytetit Vishegrad u vranë 119 partizanë e partizane dhe mbi 200 të tjerë morën plagë të rënda, shumë prej të cilëve vdiqën nëpër spitale nga plagët.
Paralel me veprimet luftarake të Divizionit VI ka vepruar dhe Divizioni V Sulmues, i komanduar nga Rahman Perllaku, divizion i cili veproi deri në Sanxhak.
Natyrisht peshën kryesore në luftën për çlirimin e tokave në Jugosllavi e mbajti Divizioni VI Sulmues. “Në luftimet e Divizionit V dhe VI Sulmues në Sanxhak, në Mal të Zi dhe në Bosnjë humbën jetën 600 partizanë e partizane dhe mbi 1 000 të tjerë u plagosën.

Armikut iu shkaktuan dëme të mëdha: 6 000 të vrarë, afro dyfish të plagosur, 615 ushtarë u kapën robër. U zunë 96 topa, 17 tanke e autoblinda, 101 mitraloza, 86 makina me municion e mijëra pushkë e revolverë...
Divizioni VI-S i plotësoi me nder detyrat ... për çlirimin e Malit të Zi dhe të Bosnjës.

Në mbarim të luftimeve për çlirimin e qytetit Vishegrad me rrethinat, Komandanti i Divizionit, Kolonel Gjin Marku, i njofton Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë: “... Krahinat Burzo, Rudo, Dobrun e Vishegrad janë çliruar nga thonjtë e nazistëve e të çetnikëve, nga forcat e Divizionit VI Sulmues”.

Kjo luftë e Divizionit VI Sulmues, të komanduar nga Komandanti Gjin Marku kishte një rëndësi të veçantë për shtetin shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore në disa drejtime:
Së pari. Shqipëria u rreshtua në Koalicionin Antifashist, më i madhi koalicion i njohur në historinë botërore. Ky koalicion i madh projektoi regjimin politik në botë. Shqipëria garantoi me luftën e saj antifashiste integritetin e saj territorial dhe Shteti Shqiptar pati një nivel më të lartë në statusin ndërkombëtar duke u bërë që në fillim anëtar i OKB me të drejta të plota, kur fuqi botërore si Kina etj., e fituan shumë më vonë këtë status.

Së dyti. Kjo luftë çlirimtare krijoi kondita shumë të mira për vëllazërimin e popujve në ish-Jugosllavi, si një sfidë për të ardhmen paqësore të tyre. Këtë miqësi do ta prishte fryma komuniste që për fat të keq këta popuj u pushtuan prej saj, bashkë me popuj të tjerë të Lindjes.
 
Jo në Sarajevë, por kthim për në Kosovë
Kur gjithçka ishte gati për të sulmuar drejt Sarajevës, në ditët e fundit të shkurtit, vjen urdhri që Divizioni VI-S do të ndërrojë planin dhe do të nisë marshimin luftarak nga Vishegradi nëpër Sanxhak për në Kosovë. “Në godinën ku qëndronte Shtabi i Divizionit, në qytetin Rudo, në orën e takimit, në mëngjes radisti mori fonogram nga Tirana. Kërkohet: Divizioni VI të ndërpresë luftimet në Bosnjë dhe të përqendrohet në Kosovë (në zonën Mitrovicë-Vuçitern-Podujevë).

Ky urdhër përmbysi çdo përgatitje të Divizionit për të marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Sarajevës. Disa ditë më vonë, Komandanti i Divizionit Kolonel Gjin Marku u paraqiti shtabeve të brigadave itinerarin dhe grafikun e marshimit. U qartësua se Divizioni për të arritur në Kosovë do të marshonte nëpër malet e Sanxhakut. Zona ku do të kryhej marshimi është e varfër, e djegur dhe e shkrumbuar nga lufta. Terreni, përgjithësisht i thyer dhe i mbuluar me borë ... Komandanti Gjin Marku sqaroi se mungesa e ushqimit në marshim do të ishte e pranishme.

Strehimi natën do të ishte i vështirë se gjithkund vendi ishte i shkrumbuar nga flakët e luftës. Krahina ku kryhej marshimi e prekur nga tifoja.
Ky ishte rreziku më i madh që na kërkohet të bëjmë kujdes, - tha Komandanti i Divizionit. Lajmi që do të shkonim në Kosovë u mirëprit. Kosova! Një ëndërr e përjetshme për çdo shqiptar”.
Ky marshim në kondita tepër të vështira nisi më 4 mars 1945 dhe zgjati deri më 12 mars, kur formacionet luftarake të Divizionit parakalojnë në Mitrovicë etj.
 

Shkrimi u publikua sot (30.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve