Viti i dinamizmit të dialogut Kosovë-Serbi

Viti i dinamizmit të dialogut Kosovë-Serbi

Krerët e Kosovës dhe Serbisë gjatë një takimi në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

Tashmë është e qartë se ekziston një angazhim i Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për përshpejtimin e dinamikës për të përfunduar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por mbetet pikëpyetje nëse gjatë vitit 2023 ky dialog do të përfundojë, vlerësojnë deputetë të pushtetit dhe opozitës në Kosovë.

Tentimi për të imponuar afate të caktuara për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do të thotë se mund të prodhojë rezultate të dëshiruara, thotë Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

Në një artikull të publikuar nga e përditshmja amerikane, Politico, më 29 dhjetor 2022, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në konteksti e përmendjes së muajit mars 2023, si afat për arritjen e një marrëveshjeje, ka thënë se afati i marsit ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së një marrëveshjeje dhe se koha aktuale është ideale për një zgjidhje të çështjes Kosovë-Serbi.

Lidhur me këtë, ai ka theksuar vëmendjen e udhëheqjes së SHBA-së dhe BE-së, duke thënë se “kjo është dritarja e vërtetë e mundësive, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024”.

“Propozimi franko- gjerman do të prodhojë rezultate”

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Haki Abazi, thotë se gjatë vitit 2022 ka pasur disa zhvillime që paralajmërojnë se në vitin 2023 do të ketë dinamikë të shtuar në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, zhvillimet pas pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022, përpjekjet e Perëndimit për ta bllokuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, ndihma e ofruar për ekipin e Lajçakut nga dy këshilltarët e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Sholz, dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, si dhe plani i ashtuquajtur franko-gjerman, janë indikatorë të këmbënguljes së Perëndimit për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse merret seriozisht dhe vazhdohet me këtë dinamikë, besoj që më 2023, nëse jo përfundimi i marrëveshjes së përgjithshme të njohjes, atëherë, së paku kornizimi franko-gjerman do të prodhojë rezultate, të cilat sjellin shumë afër njohjen de jure të shtetit të Kosovës dhe ecjen drejt integrimit evropian të Kosovës, të Serbisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit”, thotë Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas tij, gjithçka në Ballkanin Perëndimor do të varet nga dinamika e zhvillimeve në Ukrainë dhe nga serioziteti, me të cilin BE-ja dhe SHBA-ja do t’i qëndrojnë prapa Ukrainës deri në fitore, si dhe të parandalojnë zgjatimin e konfliktit në Ballkan, gjë që sipas tij, është strategji e Rusisë.

Propozimi i BE-së, i njohur edhe si plani franko-gjerman, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Por, në tekstin e propozimit, nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi është mbështetur edhe nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.

“Ka ardhur koha për marrëveshje finale”

Partitë opozitare në Kosovë kanë shprehur mbështetjen e tyre për Qeverinë e Kosovës për dialogun me Serbinë.

Rashiq Qalaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, thotë se tensionet e shtuara dhe serioze në gjysmën e dytë të vitit 2022 në veri të Kosovës, sinjalizojnë situatën e paqëndrueshme e cila kërkon zgjidhje përmes dialogut.

“Mendoj se ka ardhur koha që dialogu të orientohet drejt arritjes së marrëveshjes finale, i cili, me gjasë, do të zhvillohet në mënyrë shumë intensive në vitin 2023. Shpresoj se dialogu do të përmbyllet brenda këtij viti, duke marrë parasysh jo vetëm zhvillimet te ne dhe në rajon, por edhe në botë. Besoj që Bashkimi Evropian, i ndihmuar fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të tentojnë që problemin e Kosovës dhe marrëveshjen finale të saj me Serbinë, ta kryejnë gjatë vitit 2023”, thotë Qalaj.

Megjithatë, ai shton se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të kishte kuptim pa njohje të ndërsjellë, gjë që është kusht i partisë së tij për t’i dhënë mbështetjen Qeverisë së Kosovës për dialog.

Weber: Nuk ka atmosferë për marrëveshje

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, bllokimi i rrugëve me barrikada atje nga grupe të serbëve, si dhe tensionet që kanë përcjellë raportet Kosovë-Serbi gjatë muajit dhjetor të vitit 2022, nuk japin shumë shprese se ekziston një atmosferë për vendosjen e dialogut në binarët që çojnë drejt një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve, thotë Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

Ai thekson se është skeptik se brenda vitit 2023 mund të arrihet një marrëveshje eventuale, siç e quan ai “e ndërmjetme” e bazuar në planin franko-gjerman, ndërkohë që atmosfera aktuale është, siç e cilëson ai, “shumë e nxehtë”, si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës.

“Në një atmosferë të tillë të nxehtë gjithmonë ekziston rreziku se mund të ndodhë ndonjë incident, i cili më pas mund t’i përshkallëzojë gjërat. Më duhet të them se nëse pritet një marrëveshje – ashtu siç është e njohur tash, si një marrëveshje e ndërmjetme, që çon deri tek ajo përfundimtare që shkon larg, deri te njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi – atëherë, sipas meje kjo do të kërkonte një përgatitje krejtësisht tjetër të terrenit në Serbi. Nëse e krahasojmë me atmosferën e sotme dhe narrativin zyrtar, atëherë e shohim pikërisht të kundërtën”, thotë Weber.

Marrëveshje e (pa) kompletuar?

Kryeministri i Kosovës, Alkbin Kurti, qysh në fund të vitit 2021, ka thënë se një marrëveshje me Serbinë është e mundur brenda mandatit të tij si kryeministër, afat ky që përputhet me afatin kohor të mandatit aktual të presidentit amerikan, Joe Biden, dhe të mandatit të zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Deputeti Abazi thotë se në rast se në vitin 2023 nuk gjendet një zgjidhje në kuadër të kornizës së propozimit të BE-së, që njihet si propozimi franko-gjerman, atëherë vëmendja e partnerëve perëndimorë do të pakësohet.

“Mendoj se, në atë rast, shkojmë drejt një situate me skenar të mundshëm, në të cilin jo vetëm Kosovën, por edhe Bosnjë e Hercegovinën dhe konfliktet tjera që janë të hapura apo të ngrira nëpër botë, të kenë trajtim krejt tjetër dhe eventualisht të diskutohen në tavolinën e negocimit, e cila, unë mendoj, gjatë vitit 2023 do të ndodhë ndërmjet botës demokratike dhe Rusisë”, thekson Abazi.

Një marrëveshjeje eventuale e negociuar mbi bazën e propozimit të BE-së, sipas Rashit Qalajt, nuk do të ishte zgjidhje e mirë, ndonëse brenda këtij propozimi ka mjaft pika që Partia Demokratike e Kosovës i mbështet.

“Edhe nëse Kosova bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë, pra edhe nëse fiton ulësen në Kombet e Bashkuara, edhe nëse bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe me NATO-n, edhe nëse fillon procedurat për anëtarësim në BE, sërish do të ishte një marrëveshje jo e kompletuar pa njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Qalaj.

“Të kërkohet një marrëveshje përfundimtare”

Ndaj një marrëveshjeje eventuale mbi bazën e propozimit franko-gjerman, skeptik shprehet edhe Bodo Weber. Ai thotë se tentimi eventual për arritjen e një marrëveshjeje që nuk përfshin njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, nuk e zgjidh tërësisht problemin ndërmjet dy vendeve.

Në njërën anë, sipas tij, mbetja pezull e njohjes së ndërsjellë mund të ushqejë mosbesimin në Prishtinë, që gjenezën e ka te komprometimi i BE-së dhe SHBA-së qysh në vitin 2017 lidhur me tentimin për të mbështetur një marrëveshje për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai shpreh mendimin që Perëndimi duhet ta shfrytëzojë momentet që pritet të krijohen në vitin 2023 në kontekstin gjeopolitik.

“Lufta në Ukrainë assesi nuk po shkon në drejtim të caqeve dhe qëllimeve të Rusisë. Nuk përjashtohet mundësia që Rusia mund të humbë luftën, me dobësim serioz të Rusisë së [presidentit rus, Vladimir] Putinit. Mund të kemi një skenar, në të cilin, praktikisht, me humbja e Rusisë së Putinit, Perëndimi do të ishte një pozitë shumë më të fuqishme përballë Serbisë, ndaj regjimit të [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiqit dhe mbase kjo do të ishte një bazë shumë më e mirë që të shkohet, jo drejt një marrëveshjeje të ndërmjetme, por që të kërkohet një marrëveshje përfundimtare”, thotë Weber.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së. Pritjet janë që negociatat të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë pozicione krejtësisht të skajshme.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e pranon.

Kosova kërkon njohje të ndërsjellë, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi, pa e specifikuar se çfarë saktë do të thotë ai kompromis./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Emmanuel Macron dëshiron të kalojë në futboll, kandidat në zgjedhjet e ardhshme të FIFA-s?

Emmanuel Macron dëshiron të kalojë në futboll, kandidat në zgjedhjet e ardhshme të FIFA-s?