17 mijë tekste librash për fëmijët në diasporë janë vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare në 15 shtete në Evropë, SHBA e Kanada. Këto 5700 paketa mësimore përfshijnë tekstet “Gjuha shqipe” dhe “Kultura shqiptare” në 3 nivele.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha bën me dije se përfshirja e nivelit të tretë është risia e këtij viti shkollor. Ndërkohë vijin përditësimi i të dhënave për numrin e nxënësve, nivelet, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes.
Deklarata e plotë:
Përpara nisjes në një aktivitet ndërkombëtar, dua të them dy fjalë për librat për vitin shkollor 2026–2027 në Diasporë.
Janë parashikuar mbi 5700 paketa mësimore, ose rreth 17 mijë tekste, për 15 shtete në Evropë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Bëhet fjalë për tekstet e përbashkëta “Gjuha shqipe" dhe "kultura shqiptare” për nivelet e parë, të dytë dhe të tretë. Në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe Ministrinë e Arsimit, do të bëjmë çmos të plotësojmë 100 për qind të kërkesave.
E veçanta e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, çka përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e ciklit të plotë të teksteve të përbashkëta për Diasporën. Përfaqësitë diplomatike janë duke përditësuar të dhënat për numrin real të nxënësve, nivelet që ndjekin, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes.
Për të gjithë të interesuarit, prindër e mësues në Diasporë, lutem ndiqni udhëzimet dhe njoftimet e përfaqësive tona diplomatike, ambasadave në secilin vend, për të qenë të informuar në kohë reale.








Komente
Komento