Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në ditën e parë të shkollës ishte në Shkollën 9-vjeçare “Qybra Sokoli” në qytetin e Prrenjasit, e cila është rikonstruktuar totalisht sipas të gjitha standardeve bashkëkohore.
Në inagurimin e shkollës Ballën e shoqëronte kryetarja e bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira e cila është nga radhët e LSI-së. Sipas Ballës më shumë se 400 nxënës të qytetit të Prrenjasit këtë vit nuk do ta zhvillojnë më mësimin me dy turne.
Këtë vit të ri shkollor në Prrenjas e fillojmë me një shkollë të standardeve më të mira. Shkolla 9 vjeçare “Qybra Sokoli” u rikonstruktua totalisht nga Ministria e Arsimit, duke përfshirë edhe terrenet sportive. Tashmë më shumë se 400 nxënës të qytetit të Prrenjasit nuk do ta zhvillojnë më mësimin me dy turne.
Ky është një vit i rëndësishëm në thellimin e kthesës që ka marrë arsimi në Shqipëri. Tekstet shkollore këtë vit janë të njëjtat tekste me të cilat mësohet në Angli, SHBA e në vende të tjera të zhvilluara. Më në fund kemi një kurikul mësimore, edhe në fillore, edhe në 9 vjeçare, sipas standardeve më të mira botërore.
Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS
Më tej gjatë fjalës së tij Balla u shpreh:
"Jam shumë krenar që kemi bërë të mundur atë që premtuam një vit më parë. Janë plot 190 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë të cilët kanë marrë librat falas".
Gjithashtu Balla theksoi se brenda vitit 2021, çdo fëmijë i arsimit 9-vjeçar do t’i ketë librat falas.