Viti i vështirë i Kadaresë, ja pse
u ndalua “Pallati i Ëndrrave”

Viti i vështirë i Kadaresë, ja pse<br />u ndalua “Pallati i Ëndrrave”
Pas marsit të 1982, kur në një Plenum të veçantë në Lidhjen e Shkrimtarëve, novela e Ismail Kadaresë ishte dënuar me akuzat më të rënda, që mudn ti bëheshin një vepre letrare, në familjen e shkrimtarit dhe mes miqve të tij, mendohej se një rehabilitim i shkrimtarit ishte thuajse i pamundur.
Do të kalonin pothuajse 7 muaj dhe ky shigjetim i regjimit ndaj shkrimtarit dhe veprës së tij do të ishte po i njëti. Në tetor të 1982, në mbledhjen e organizatës bazë të Lidhjes do të ngrihej sërish çështja Kadare. Por ajo ç’ka ishte më e rrëzikshmja për shkrimtarin në fakt nuk ishte vepra me gjithë kritikat e ashpra ndaj saj.

Rreziku real që i kanosej shkrimtarit ishte tentativa për ta përfshirë atë në grupin armiqësor të Mehmet Shehut. Pas vetëvrasjes së ish-kryeministrit, kjo akuzë e shprehur në forma të ndryshme ishte artikulluar shpesh, herë si pëshpërimë, si thashethem e herë si akuzë e hapur duke e kritikuar shkrimtarin për miqësinë e tij me djalin e ish-kryeministrit të vetëvrarë Bashkim Shehun.  Dokumentet arkivore të vitit 1982, i përforcojnë të gjithë këto teza, të cilat pak vite më parë i shprehu publikisht edhe Helena kadare, bashkëshortja e shkrimtarit në librin e saj me kujtime “Kohë e Pamjaftueshme”.

Dokumentet e vitit ‘82, e kanë zanafillën nga ngjarja e marsit në Plenumin e Lidhjes së shkrimtarëve , ku u dënua “Nënpunësi i pallatit të ëndrrave”.  Në mbledhjen e muajit tetor organizata bazë e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte ndalur sërish, në mënyrë specifike tek “Pallati i ëndrrave” dhe akuzat që rëndonin mbi këtë vepër. Por ajo çka e e ka nxitur, mbajtjen gjallë të kësaj çështjeje të nxehtë duket se ka qenë kërkesa e shkrimtarit për ta ribotuar veprën. Dokumentet tregojnë gjithë dinamikën e ngjarjeve sa në Komitetin Qendror, në organizatën e Partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku do të vendosej përfundimisht nëse mund të rikorrigjohej dhe të bëhej i pranuashëm apo jo “Pallati i ëndrrave”. E po kështu, kapriçoze dhe e rrezikshme ishte edhe tentative e kadaresë per te botuar romanin “Gjakftohtësia”, të cilin për ironi të fatit e ksihte dorëzuar në shtëpinë botuese pak javë para vetëvrasjes së mehmet Shehut. Bëhej fjalë për një roman ku mund të bëhej një aluzion i rrezikshëm me vetëvrasjen e Mehmet Shehut…

Për të plotësuar më mirë ngjarjen, ne kemi sjellë për lexuesit veç këtyre dokumenteve edhe një pjesë të kujtimeve të Helena Kadaresë, mbi ngjarjet e vitit 1982 dhe ndikimeve që patën ato në jetën e shkrimtarit.  
 
 
Nga kujtimet e Helena Kadaresë për ngjarjet e vitit 1982, shkëputur nga libri i saj ”Kohë e pamjaftueshme”, botim i “Onufrit” 2011.
 
 
Në kohën që Tirana gëlonte nga mbledhjet  për demaskimin e “krykomplotistit më të madh të të gjithë kohërave Mehmet Shehut” para banesës sonë, në mbrëmje qëllonte që dëgjoheshin britma: Ismail Kadare, agjent i Mehmet Shehut! Ose, agjent i borgjezisë! Dhe të mendoje që Is ishte ende deputet i parlamentit, një fakt që detraktorët e tij do ta kujtonin një kohë të gjatë më pas! Proverbi “kur të vijnë të këqijat hapu derën” merrte një kuptim të veçnatë në vende si i yni. Në kohën që historia e përbaltjes ishte në kulmin e saj, një lajm i hidhur na erdhi nga Lidhja e Shkrimtarëve. Së shpejti do të bëhej pleniumi i letërsisë, ku do të dënohej ‘Nënpunësi i pallatit të ëndrrave”. Mendimi i parë që na erdhi ishte: A kishte lidhje kjo më me çështjen e “xhamave të thyer”..

Plenumi u bë në mars, në sallën e madhe të pallatit të kulturës. Mbledhjen e kryesonte zëvendësi zyrtar i Enver Hoxhës, Ramiz Alia. Në radhët e para, midis anëtarëve të byrosë politike, dhe të qeverisë ishte gruaja e vetë diktatorit, Nexhmije Hoxha. Is ishte në presidium dhe prej andej ai duhej të dëgjonte para gjithë auditorit kritikat më të ashpra. Ato po lexoheshin nga kryetari i Lidhjes. Unë isha me shoqet e mia të zyrës në sallë.  Rrija krejt e mpirë, duke ndjekur me kujdes çdo lëvizje të fytyrës së vrenjtur të Is. Pas frazave të frikshme, herë pas here ndjeja në krah shtrëngimin e heshtur e plot kuptim të mikeshës sime Nasta Haxhiu. Nga tribuna vinin fjalë të rënda. Romani akuzohej se bënte “aluzione për regjimin komunist”. Ishte kritika më e rrezikshme që mund ti bëhej një vepre në Shqipëri. Ndërkaq dëgjoja me habi citime të frazave të librit, fraza që unë i dija të gjitha përmendësh, por nuk e di se nga çfarë ndryshimi apo renditje të çuditshme të tyre, ngjanin edhe më të frikshme se ç’ishin.

Të gjithë kujtuan se ky ishte fundi i Is. Atij vetë për të dytën ditë i duhej të dëgjopnte, me të njëjtën shprehje të ngrirë ato që thuheshin për të. Tek e shikoja nga larg nuk po arrija ta zbërtheja pamjen e tij. Jepte përshtypjen se nuk e kishte mendjen në ato që dëgjonte. S’mund të thuhej se ishte një shpërfillje, nga ato që ia njihja aq mirë dhe për shkak të të cilave kishte shkaktuar aq shumë acarimin e njerëzve.  Këtë herë ishte ndryshe.

Gjatë pushimit mes dy seancave, dy miq të tij, duke u përpjekur të ishin të kujdesshëm  më thanë se ndoshta do të ishte më mirë që Is të tregohej disi më i vëmendshëm. Ose së paku të jepte përshtypjen të tillë… Por ai nuk doli në sallë që ta takoja. Por edhe sikur të dilte, vështirë se kisha për t’ia thënë.  Nga përvoja e dija se nëse doja ti sugjeroja diçka, në këto raste, e mira do ishte të mos i bija fare në sy, sepse e dija fort mirë  se kishte për të ndodhur e kundërta.

Në seancën në vazhdim ai kishte përherë po atë shprehje munguese. Mbledhja u mbyll vonë për tu rihapur në katër të pasdites. Në shtëpi, duke u vërtitur nëpër kuzhinë për përgatitjen e drekës, ia thashë atë që mendoja dhe atë që më kishin thënë miqtë e tij. Për çudi më ndoqi pa ndonjë interes të dukshëm, si të dëgjonte diçka që e dinte.  Kur ma shpjegoi arsyen i dhashë të drejtë. Fati i tij, domethënë fati ynë,  nuk varej fare nga ato që thoshte kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve apo diskutuesit e zellshëm.

As nga sytë zhbirues të Nexhmije Hoxhës, të cilët që nga radha e parë ku kishte zënë vend, nuk i ndaheshin. Fati ynë vendosej në një tjetër  vend, larg nga kjo sallë, në qelinë, apo në vendin e veçuar, ku po merreshin në pyetje Bashkim Shehu me të shoqen e tij të re, Marjetën. Se ç’do të thoshin ata për ne ishte shumë më fatale se gabimet e “Pallatit të ëndrrave”, që po numëroheshin aty. Për këtë gjë, kishim folur aq here në shëtitjet tona të gjata, jashtë mureve të apartamentit.

Por atë ditë, Is më tha diçka tjetër, për të cilën nuk më kishte shkuar mendja.  Fjala ishte për dorëshkrimin e romanit “Gjakftohtësia (Koncert në fund të dimrit). Për një gërshetim të keq të rrethanave, ai e kishte dorëzuar  dorëshkrimin në shtëpinë botuese vetëm pak javë përpara vetëvrasjes së kryeministrit. Mirëpo në roman flitej për diçka  tepër të ngjashme: vrasjen e pasardhësit të Maos. Dhe puna s’mbetej me kaq. Në roman trajtoheshin pëshpërimat dhe dyshimet nëse vdekja e trashëgimtarit të Maos ishte një aksident, siç u tha zyrtarisht, apo një vrasje e bërë pas krahëve. Me një fjalë, vetëvrasje apo vrasje, në versionin shqiptar, aksident ajror apo vrasje në versionin kinez. Përqasje më e rrezikshme as që mund të mendohej….”
 

Dokumenti 1
 
Shoku Shaban,
     Këtë çështje e kam biseduar një herë me shokun Ramiz. Duke qenë se Ismaili ngulte këmbë për botimin e veprës së tij, ai tha që në këtë rast të zbatohen rregullat nga shtëpia botuese si për të gjitha veprat e tjera. Në qoftë se autori plotëson kërkesat e shtëpisë botuese, e ripunon veprën, mënjanon defektet për të cilat kishte vërejtje, atëherë të botohet, në qoftë se kjo nuk arrihet të mos botohet. Jam dakord me mendimin tënd që Lidhja e Shkrimtarëve po qe se është e bindur që vepra edhe pas ripunimit mbetet në tërësi e gabuar, këtë ajo ta argumentojë që të bindet edhe autori edhe shtëpia botuese.
 
Të fala
11.11.1982
 
 

 
Dokumenti 2
 
LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE
E ARTISTËVE TË SHQIPËRISË
Tiranë, më 3 nëntor 1982
 
Informacion për mbledhjen e organizatës-bazë
të muajit tetor 1982
 
     Në mbledhjen e zakonshme të muajit tetor, organizata-bazë e Lidhjes dëgjoi shokun D. Agolli, i cili foli për punimet e Plenumit të 5-të të KQ të PPSH-së. Një pjesë e shokëve i kishin dëgjuar konkluzionet e Byrosë Politike dhe vendimet e Plenumit, por jo të gjithë; kështu që informacioni u bë më i plotë. Pastaj u mbajt raporti i përgatitur nga një grup pune mbi rendimentin e disiplinën në punë të komunistëve e të shokëve të tjerë të aparatit të Lidhjes; kurse sekretari i organizatës raportoi për mbledhjen e Komitetit të Partisë të Rajonit Nr. 1, ku u mor në analizë puna e organizatës-bazë e Lidhjes pas Kongresit të 8-të të Partisë e këtej. Në mbledhje ishin ftuar edhe disa shokë pa parti.

     Në krye, shokët e organizatës-bazë u solidarizuan njëzëri me vendimet e Plenumit të 5-të të KQ, duke dënuar veprimtarinë armiqësore të K. Hazbiut si pjesëmarrës i komplotit të drejtuar nga kryeagjenti M. Shehu. Ata folën për unitetin e popullit, të shkrimtarëve e artistëve rreth Partisë e shokut Enver, për nevojën e rritjes së vigjilencës dhe për t’iu përgjigjur kohës sonë me krijimtari më të shumtë e të partishme. Duke folur për analizën në Komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 1, u tha nga sekretari se detyra jonë është të forcojmë unitetin, një unitet real dhe jo të dukshëm. Konkretisht ishte fjala për botimet dhe për mendime të kundërta që mund të lindin në raste të veçanta, të cilat duhet të rrihen dhe kështu problemit t’i jepet një zgjidhje.

     Organizata-bazë u ndal në rastin e novelës së I. Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, e cila u dënua ashpër në Plenumin e Lidhjes. Shumica e shokëve që e morën fjalën si D. Shapllo, D. Agolli, F. Gjata, H. Petrela etj., janë të mendimit se duke qenë se novela është në themel e gabuar ideologjikisht, nuk ka përse të bëhen përpjekje për ribotim. Ndërsa shoku Ll. Siliqi ka shkruar një recension ku thotë se novela mund të ndreqet e të botohet. Shumica e anëtarëve mendojnë se I. Kadare dhe Ll. Siliqi nuk duhet të ngulin këmbë për ribotimin e saj.

Shoku Ll. Siliqi tha se nuk mund të gjykohet pa i parë ndryshimet. Natyrisht edhe kjo mund të bëhet, por përderisa një vepër është dënuar nga një plenum për gabime të rëndësishme ideore nuk ka përse të flasim për ripunim të saj. Madje u shfaqën mendime se Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, më parë duhet të krijojë bindjet vetë për një vepër dhe pastaj ta shpërndajë atë për recensionim. Ky është një mendim i yni, sepse, kuptohet, në këtë rast, ne nuk jemi institucion botues dhe ajo që vendos është Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.

     Në mbledhje u bisedua edhe për romanin “Gjakftohtësia” të I. Kadaresë. Shtëpia botuese i është përgjigjur me shkrim autorit për herë të dytë dhe ka vërejtjet e saj. Autori mendon se ka një keqkuptim me shtëpinë botuese dhe nuk di si mund të dilet nga kjo gjendje. Organizata shfaqi mendimin që Ismaili të thellohet në këto vërejtje dhe po qe e nevojshme shtëpia botuese le të bëjë një konsultë të ngushtë, ku të shkojnë edhe shokë nga Lidhja.

Lidhur me gjendjen e romanit kushtuar temës aktuale u caktua detyra e një konsulte të përbashkët midis shtëpisë botuese dhe Lidhjes dhe kjo do të bëhet gjatë nëntorit.
     Në këtë mbledhje shoku D. Shapllo bëri autokritikë për botimin e novelës “Një dosje për Homerin” të I. Kadaresë në revistën “Nëntori”. Pas Plenumit të Lidhjes duhej një temë aktuale, përmbajtja të ishte më e qartë dhe me peshë ideoartistike. Kjo kritikë u bë edhe në redaksi e në kolegjiumin e “Nëntorit”. Edhe I. Kadare e pranoi vërejtjen se s’duhet të ngulte këmbë për botimin e saj dhe u zotua që t’i kushtojë vëmendje më të madhe aktualitetit dhe të shtojë vigjilencën.
     Organizata-bazë vendosi që analiza për rendimentin dhe disiplinën të shtrohej edhe në kolektiv, gjë që u bë dhe pati rezultate.
 
SEKRETARI I ORGANIZATËS-BAZË
Dalan Shapllo
 
Dokumenti 3

 
Shoku Foto,
     Organizata-bazë e Lidhjes së Shkrimtarëve na ka dërguar këtë informacion, ku, midis të tjerave, shprehet mendimi se novela “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është në themel e gabuar ideologjikisht, prandaj nuk ka përse të bëhen përpjekje për ribotimin e saj në veprat e I. Kadaresë. Po ashtu në informacion thuhet se Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, më parë duhet të krijojë bindjet e veta për një vepër dhe pastaj ta shpërndajë për recensionim. Këto mendime të organizatës-bazë së Lidhjes së Shkrimtarëve bien ndesh me porosinë e dhënë nga ju që edhe për këtë novelë të zbatohen rregullat që kemi për çdo botim.

     Ne mendojmë se është ose jo në themel e gabuar novela, do ta përcaktojë shtëpia botuese, sipas rregullave. Nëse organizata-bazë e Lidhjes ë Shkrimtarëve ka mendimin se ajo është në tërësi e gabuar, atëherë duhet të bëjë një analizë të argumentuar e të plotë dhe jo të japë vetëm mendimin se s’duhet të botohet.
     Për këtë çështje ende s’kemi vënë në dijeni shokun Ramiz.
 
Shaban Baxhaku
06.11.1982
 
Dokumenti 4

 
MBI INFORMACIONIN E LIDHJES SË SHKRIMTARËVE
PËR NOVELËN “NËPUNËSI I PALLATIT TË ËNDRRAVE”
 
     Pasi iu dërgua informacioni shokut Foto, dhe ai sqaroi edhe një herë porosinë e dhënë (shih praktikën), më 15.12.1982 u thirrën shokët Dalan Shapllo, Thanas Leci, Lumturi Gjoni dhe iu thanë këto porosi:
     1. Për novelën të zbatohet rregullat nga shtëpia botuese si për të gjitha veprat e tjera. Nëse autori plotëson kërkesat e shtëpisë botuese, e ripunon veprën, mënjanon defektet, për të cilat kishte vërejtje, atëherë të botohet, në qoftë se kjo nuk arrihet, të mos botohet.
     2. Nëse Lidhja e Shkrimtarëve ka bindjen se edhe pas ripunimit, novela mbetet në tërësi e gabuar, atëherë ta argumentojë, të bindë edhe autorin, që e ka anëtar të organizatës-bazë, edhe shtëpinë botuese ta ndihmojë.
 
18.11.1982                                   
 
 
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare