Kryeministri, Edi Rama ka deklaruar se do të ketë një tjetër rishikim për rritjen e pagave të pedagogëve për vitin e ardhshëm, por ai theksoi se kjo rritje nuk do ishte uniforme për të gjithë trupën akademike.

Gjatë ceremonisë së 65-vjetorit të universitetit të Tiranës, Rama tha se do të kishte rritje për të vlerësuar më shumë ata të cilët e meritonin më shumë.

"Po shtoj edhe dy fjalë për pagat sepse është bërë një debat i konsiderueshëm. U bë rritja e nevojshme e pagave për të arritur atë objektiv qeë kishim dhe ndërkohë po përgatitemi bashkë me forumin që kemi krijuar me rekotrët për të parë disa konkluzione të një raporti mbi situatën aktuale dhe ku duam të shkojë universiteti në 2030-tën. Po përgatitemi të diferencojmë pagat në kuptimin e diferencimit të kontributeve të qeverisë dhe buxhetit për të vlerësuar më shumë cilësinë, për t’u dhënë më shumë mundësi atyre që japin më shumë. Që prej vitit të ardhshëm do japim një shembull sesi do bëhet, që do thotë se do shihet rritja e pagave për pedagogët, por gjysma tjetër e fjalisë është që kjo rritje nuk do jetë uniforme"- u shpreh Rama.

Mes të tjerash, kryeministri tha se numri i universiteteve në Shqipëri ishte tepër i madh dhe duhej parë mundësia e një reforme të re me në qendër universitetin e Tiranës. Ai tha se duhej të mendohej seriozisht për rankimin e universiteteve shqiptare në rang ndërkombëtar. 

Viti i ri akademik 2022-2023 nxori edhe më tepër në pah faktin se në shumë universitete kryesisht në rrethe, disa degë studimi, kryesisht ato të mësuesisë, nuk kanë arritur të plotësojnë kufirin maksimal të numrit të studentëve, duke bërë që ato të mbyllen. Nisur nga kjo probematikë që me kalimin e viteve është bërë edhe më tepër prezente, është menduar si zgjidhje krijimi e një universiteti qëndror në Tiranë dhe disa filiale në qytete. Ka qenë kreu i qeverisë, i cili është shprehur se ka shumë universitete. 

“Vazhdoj të mendoj dhe të besoj se ne kemi shumë universitete. Për të pasur kaq shumë studentë, na duhet të mendojmë seriozisht për një reformë të re me qendër graviteti universitetin e Tiranës në mënyrë që të mos e jetojmë me indiferencë ose me qetësinë e incercisë agoninë e universiteteve në territore të tjera të vendit që kanë gjithmonë e më pak studentë. Ka shume universitete, dhe pak studente, mund të rioganizohemi me një universitet qendror në Tiranë dhe disa filiale ne qytyete”, tha dje Rama.

Kreu i ekzekutivit shtoi se aktualisht në universitetin e Tiranës nga 800 pedagogë, gjysma prej tyre merrnin pjesë në projekte që financohen nga Bashkimi Europian, krahasuar me 50 që kishin qenë më herët.

Ndërkohë kujtojmë se pedagogët kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë provimet e vitit akademik në sezonin e shkurtit nëse qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritjen e pagave të trupës akademike. Ata kanë njoftuar përkohësisht vijimin e vitit akademik, por duke mos përjashtuar mundësinë e rikthimit të protestave nëse kërkesat e tyre për rritjen e pagave nuk konsdierohen nga qeveria.