Vizita e Albin Kurtit në Maqedoni nxit reagime të ashpra: Po imiton taktikat përçarëse të Sali Berishës

Vizita e Albin Kurtit në Maqedoni nxit reagime të ashpra: Po imiton taktikat përçarëse të Sali Berishës

Albin Kurti në Maqedoni

“Përçarës i shqiptarëve në rajon”. Ky është epiteti që ka marrë kryeministri Albin Kurti pas vizitës së djeshme në Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi ai ka realizuar një vizitë joformale ku ka takuar vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare. Në këtë mënyrë ai ka anashkaluar BDI-në, partinë më të madhe të shqiptarëve atje.

Një veprim i tillë po konsiderohet si përçarës për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Përfaqësuesit e opozitës në Kosovë kanë bërë me dije se të njëjta veprime Kurti i ka bërë edhe në Shqipëri dhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Më i ashpër në reagim ka qenë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai i ka ftuar shqiptarët e Maqedonisë që të mos i besojnë atij.

Të dashur bashkombas shqiptarë në Maqedoni të Veriut, mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës. Pasi nuk mund t'i gënjej më kosovarët, paska ardh të ju mashtrojë ju, për rrugën Tetovë - Prizren. Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë. As ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti po ndërhyn në mënyrë të paprecedentë në çështjet e brendshme të shqiptarëve në rajon.

Në profilin e tij në “Facebook”, Nurellari ka treguar se Kurti duhet të punojë në unifikimin dhe jo përçarjen e shqiptarëve.

Kryeministri Kurti ndodhet sot në vizitë jo-formale në Maqedoni të Veriut, duke mbështetur një grupacion të ri të sapokrijuar politik dhe dy parti të vogla (Besa, Alternativa), por duke bërë karshillëk ndaj partive kryesore shqiptare BDI dhe Aleanca Shqiptare”, ka shkruar ai.

Ai ka tregua se të njëjtat veprimi Kurti i ka bërë edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Për sa i përket Luginës së Preshevës, bëri këshilltarë politikë Sinanin dhe Mustafën, dy figura qendrore të PVD-së, duke treguar përçmim dhe mungesë respekti për partitë e tjera shqiptare atje. Në Republikën e Shqipërisë formoi parti të re që garoi dhe madje shkoi vetë për fushatë elektorale”, ka vlerësuar Nurellari.

Në fund, ai tregoi “obligimet” e kryeministrit kosovarë ndaj shqiptarëve në rajon.

Ai po ndërhyn në mënyrë të paprecedentë në çështjet e brendshme të shqiptarëve të shteteve fqinje . Nga kryeministri i Kosovës pritet që të punojë për unifikimin e shqiptarëve e jo për t’i përçarë ata. Njëherazi kjo sjellje e papërgjegjshme dëmton raportin e Shkupit dhe Tiranës zyrtare me Prishtinën, gjë që është në dëm të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka akuzuar kryeministrit Albin Kurti për përçarje të shqiptarëve në rajon.

Ai ka thënë se i pari i Qeverisë, pas përçarjes së faktorit politik në Luginë të Preshevës, po dëshiron t`i përçan edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, me vizitën e sotme atje.

Në profilin e tij në “Facebook”, Klinaku ka shkruar se edhe veprimtari Adem Demaçi ka qenë i dëshpëruar me Kurtin.

Së pari, Adem Demaçi ka qenë i dëshpëruar me ty Albin Kurti; Së dyti, e ke përça faktorin politik shqiptar në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc); Së treti, ke shkuar në Çair por jam i sigurt se do ta përçani edhe faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. P.S Sa t'ke njerëz të hipnotizuar, "grahi" se mirë e ke”, ka shkruar Klinaku.

Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni është kritikuar edhe nga njohësit e rrethanave politike në Kosovë dhe Maqedoni.

Analisti politik, Sefer Selimi, ka bërë me dije se vizita e Kurtit mund të konsiderohet edhe si vizitë për qëllime politike.

Po në fillim kjo u paraqit si një vizitë e cila më tepër kishte karakter protokollar për përurimin e rrugës ‘Adem Demaçi’ në Çair dhe për përurimin e një rruge që lidh malësinë e Tetovës dhe në të njëjtën kohë është pjesë e segmentit të cilin Qeveria e Kosovës e ka shpallur si prioritare dhe kjo është lidhje mes Tetovës dhe Prizrenit”, ka thënë Selimi për Klan Kosova.

Sipas tij, kjo vizitë mund të interpretohet edhe si mbështetej e Kurtit për opozitën atje.

Megjithatë s’ka se si t’i ikë edhe interpretimit politik, le të themi gjithë peshës të cilën Kurti e investon në atë që njihet si blloku opozitar shqiptar nga tri parti politike shqiptare”, ka shtuar ai.

Edhe analisti Afrim Kasolli ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për vizitën në Maqedoni të Veriut.

Ai ka bërë me dije se Kurti po e përdor strategjinë politike të Sali Berishës në vitet ’90.

Sipas tij, kur Berishës i ngushtohej hapësira për manovrim të brendshëm, tentonte të përfitonte politikisht duke i përdorur politikanët shqiptarë që jetonin jashtë Shqipërisë.

Albin Kurti ka filluar t’i imitojë taktikat politike te Sali Berishës në vitet ‘90. Që kur i ngushtohej hapësira për manovrim të brendshëm, tentonte të përfitonte politikisht duke i përdorur politikanët shqiptarë që jetonin jashtë shtetit shqiptar, duke e përkrahur herën njërin lider kundër tjetrit. Këtë strategji ka filluar ta ndjek Albin Kurti në Luginë dhe në Maqedoninë e Veriut, për shkak të presioneve të brendshme. Pas dështimit të turpshëm me Blerim Rekën i është kthyer përsëri kësaj aventure politike”, ka shkruar Kasolli.

Sipas tij, kjo vizitë është në kundërshtim me traditat e projektit modern nacional shqiptar.

Natyrisht, në këtë lojë të rrezikshme e cila bie në kundërshtim me traditat e projektit modern nacional shqiptar, ai po gjen mbështetje edhe të politikan mediokër sikur kryetari i Tetovës, i cili deklaroi në tubimin e mbrëmshëm se Albin Kurti është kryeministër i gjithë shqiptarëve. Nonsens logjik. Kurse ky i fundit i entuziazmuar nga ajo shfaqje karanvaleske nuk la pa e rekomanduar Maqedoninë e Veriut se si duhet të orientohet në aspektin gjeostrategjik. Dhe kënd po e këshillon? Një shtet që e ka Ali Ahemtin liderin kryesor të shqiptarëve, ku pa orientimin e tij të qartë kombëtar dhe strategjik, Maqedonia e Veriut sot as nuk do të ishte ne NATO, dhe as në rrugën e integrimeve euroatlantike”, ka shkruar ai.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Lezhë-Laç, përplasen 2 mjete, plagoset rëndë një 70 vjeçar

Aksident në aksin Lezhë-Laç, përplasen 2 mjete, plagoset rëndë një 70 vjeçar