Vizita e Sali Berishës në SHBA është një “autogol”, thotë analisti Bujar Nallbani në “Studio Live” në Report Tv. Lideri i PD ka fyer vazhdimisht SHBA-të dhe po bën thirrje kundër figurave politike amerikane dhe kjo do t’i kthehet në një lloj ‘bumerangu.’ Nallbani ngre pyetjen cila është arsyeja që Berisha ngulmoi të vizitonte pikërisht SHBA-të dhe jo Britaninë e Madhe që gjithashtu e ka shpallur “non grata.”
“Saliu ka bërë autogol me veten. Autogoli që i ka bërë vetes është shumë i madh. Saliu mbahet si amerikan-keqdashësi më i madh deri tani. Saliu është ai që në ’97-ën donte të bombardohej ambasada amerikane. Saliu është ai që në çdo lloj potereje që ka bërë në Shqipëri ka kundërshtuar me forcë ultimatumet amerikane. Autogoli më i madh që po i bën vetes është se shan ish-ambasadoren Yuri Kim, Sekretarin e Shtetit që e nxori non grata, Anthony Blinken. Mendoni se amerikanët do hedhin poshtë njerëzit e tyre? Unë mendoj se ai do vijë pako postare. Jo 6 milionë, por qindra ka paguar! Pse nuk shkel në Angli ky, njësoj është ‘non grata?’”, tha Nallbani.
Ish kreu i PD në Librazhd, Bujar Vreto, thotë se Berisha dhe partia duhet të mbajnë një qëndrim të vetëm lidhur me “non gratën” e kryetarit. Gjithashtu, ai i komenton veprimet e Berishës gjatë kësaj vizite si “militantizëm.”
“Berisha duhet të mbledhë grupin e PD dhe të dalin në unison a ka qenë apo jo non grata. Çështja e non gratës akoma nuk është zgjidhur. Gjatë fjalimit të Trump, kryetari i PD ngrinte dy gishta, drejtohej e rrotullohej në sallë a thua se vëmendja ishte tek ai. Ai e bënte për militantizmin”, shprehet Vreto.
Qëndrimi i Berishës në krye të PD nuk do t’i sjellë fitore partisë, thotë Nallbani, por qëllimi i kryetarit është vetëm për një interes tijin.
“Qenia e Saliut në krye të opozitës edhe pse e mori me thonj, luftë e poshtërsi nuk është për politikë, është thjesht për të mbrojtur familjen e tij. Ai mbron me çdo mënyrë familjen e vet”, thotë Nallbani duke e quajtur partinë si “forcën më regresive.”
Ndërsa Vreto nuk heq dorë nga parimet e tij të djathta, por me një ndryshim.
“Unë mbetem një i djathtë brenda Partisë Demokratike, por pa Sali Berishën”, përmbyll ai.









Komente
Komento