Vizita e Blinken, ish-deputeti i PD: Tregoi se SHBA-të shohin Shqipërinë partner kryesor në Ballkan! Xhafaj: Kemi kaluar në një nivel të ri zhvillimi

Vizita në Tiranë e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken gjatë ditës së djeshme u pa si historike sa i takon faktorizimit të popullit shqiptar në Ballkan. Në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, të ftuarit, diskutuan mbi mesazhin e Blinken sa i takon gjepolitikës në Ballkan si dhe për qëndrimin që Shqipëria po mban karshi veprimeve të Kosovës së fundmi.

Sipas ish-deputetit të PD, Gerti Bogdani Blinken me me këtë vizitë tregoi se partneri kryesor i SHBA-ve në Ballkan është Shqipëria.

“Në agjendë zyrtare ishte takimi me drejtues të institucioneve të drejtësisë. Vizitë historike për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar si në Shqipëri edhe në Kosovë. Përtej gjithë dyshimit që ka pasur kohët e fundit, për një flirtim të Vuçiç drejt Rusinë, ka pasur dyshime se po ndryshon pika e mbështetjes së SHBA në Ballkan. Me këtë vizitë Blinken vendosi kryqet mbi t dhe pikat mbi i dhe tregoi se partneri kryesor për SHBA-të në Ballkan është Shqipëria”- u shpreh Bogdani.

Ai shtoi se hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë që do të realizohet pas një muaji tregon se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë tashmë janë edhe në fushën e sigurisë.

“Hapja e bazës së Kuçovës pas një muaji, bëhet edhe një marrëdhënie për çështjet e sigurisë. Kemi një bazë në Shqipëri, kështu që është një vizitë shumë e rëndësishme për situatën gjeopolitike në rajon. Vizita e Blinken tregon se pjesa shqiptare është territor i NATO-s dhe amerikan”-nënvizoi ish-deputeti.

I të njëjtit mendim ishte edhe deputeti i PS, Etjen Xhafaj i cili tha se me këtë vizitë, Shqipëria ka kaluar në një nivel tjetër në promovimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

“Mendoj se kemi kaluar në një stad tjetër, qoftë në rolin e Shqipërisë si një promovues i stabilitetit në të gjithë Ballkanin e deri tek roli ynë në OSBE. Unë besoj se kemi kuptuar thelbin e asaj që është një marrëdhënie ndërkombëtare ku nuk kërkohen gjithëmonë por edhe duhet dhënë diçka. Nuk ka nevojë ta interpretojmë sepse ishte lehtësisht i lexueshëm për mbështetjen që dha dhe për faktin që ishte mirënjohës për rolin e Shqipërisë. Kjo marrëdhënie ka hapur një stad të ri zhvillimi dhe besoj se Bogdani ka të drejtë nuk po flasim për emra të përveçëm”- u shpreh Xhafaj.

Nga ana tjetër, analisti Neritan Alibali duke komentuar faktin që  zyrtari i lartë amerikan nuk u takua me përfaqësues të opozitës, tha se SHBA-të nuk e shohin as PD-në e Bashës dhe as Rithemelimin e Berishës si aktorë të rëndësishëm zgjedhorë që mund të marrin pushtetin në 2025-ën dhe për pasojë nuk merren në konsideratë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:59
Blinken nuk takoi asnjë përfaqësues të opozitës, Alibali: Nuk i sheh si faktorë që mund të fitojnë zgjedhjet në 2025-ën

 

Analisti Neritan Alibali i ftuar në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv tha se vizita e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken në Tiranë kishte në qendër çështjen e Kosovës dhe drejtësinë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, duke marrë në analizë faktin që zyrtari i lartë amerikan nuk u takua me përfaqësues të opozitës, Alibali tha se SHBA-të nuk e shohin as PD-në e Bashës dhe as Rithemelimin e Berishës si aktorë të rëndësishëm zgjedhorë që mund të marrin pushtetin në 2025-ën. Sipas analistit, opozita ka shumë punë për të bërë në mënyrë që amerikanët ta marrin në konsideratë.

“Mendoj se Blinken i ka takuar dhe u ka kërkuar të mos kenë kufij dhe të godasin korrupsionin. Kjo ishte një anë tjetër shumë e rëndësishme e vizitës së Blinken. Të gjithë ata që njohin diplomacinë e kanë parasysh se kur takohen 2 liderë, i thurrin elozhe njëri-tjetrit por kjo do të thotë se SHBA-të kërkojnë të kenë partneritet me një vend që nuk ka opozitë, me një vend që drejtohet vetëm nga një parti politike që ka kapur gjithë pushtetin.

Partia Demokratike e Bashës konsiderohet nga amerikanët si një aktor i parëndësishëm për peshën që ka në elektoratin shqiptar. SHBA-të respektojnë dhe marrin në konsideratë ato forca politike brenda shtetit që kanë premisën për të ardhur në pushtet. SHBA-të mendojnë se opozita nuk është gati të fitojë zgjedhjet në vitin 2025 dhe si pasojë i duhet punë për t’u marrë në konsideratë nga ndërkombëtarët”- tha analisti.

Ora 17:55
Deputeti i PS: Paqja, përpara vëllazërisë me Kosovën, Kurti të dëgjojë SHBA dhe BE

 

Deputeti i PS, Etjen Xhafaj ka deklaruar se Shqipëria ka për objektiv garantimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare.

I ftuar në "Studio Live" me Arbër Hitaj në Report Tv, Xhafaj tha se faktori ndërkombëtar ka dënuar vendimet e fundit të Albin Kurtit të cilat sipas tij rrezikojnë tensione.

Përpara vëllazërisë me shtetin e dytë shqiptar në rajon, Xhafaj tha se Tiranës por edhe SHBA e BE i intereson paqja në Kosovë dhe mirëqenia e qytetarëve shqiptarë atje.

"Me Kosovën jemi afër patjetër. Por që do vijë vëllazëria para të gjithave, patjetër që do vijë paqja para të gjithave. Vëllai duhet të jetë i sigurt në shtëpinë e vet dhe në paqe. Po flasim për qëndrimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, por sikur edhe BE e të gjithë njerëzit që bëjnë diplomaci ta shohin këtë gjënë kaq bardhezi, kaq krudo, kaq jorealistike sa i duket opozitës shqiptare, do kishim dëgjuar një zë tjetër. Ndërkohë që qëndrimi ka qenë uniformë. Të dyja palët kanë një rol për të luajtur në ruajtjen e paqes. Objektivi i Shqipërisë ka qenë një Kosovë sovrane e pavarur dhe pjesë e të gjithë organizmave ndërkombëtare. Për një Kosovë në paqe për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës." u shpreh Xhafaj.

 

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033