Tirana po bëhet gati të presë nesër sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku do të kalojë Blinken, janë vendosur flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Ndërkohë, në fasadën e Fakultetit Politeknik, është vendosur një banderolë e zyrtarit të lartë amerikan, me mbishkrimin “Mirë se vjen zoti Blinken”. Ndërkohë janë forcuar dhe masat e sigurisë për ndalesën 8 orëshe të sekretarit amerikan i cili në 2021 shpalli non grata ish-kryeministrin Sali Berisha. Konferenca për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit amerikan Antony Blinken është parashikuar që të mbahet përgjatë harkut kohor 16:00-17:00.

Janë zbardhur edhe 2 marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që pritet të nënshkruhen nesër nga Blinken. Sot Këshilli i Ministrave miratoi në parim vendimet për marrëveshje me SHBA-të mbi programin e shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumin e bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller duke komentuar vizitën e sekretarit amerikan tha se Shqipëria është partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor si dhe një zë i fortë i mbrojtjes së Ukrainës. Në një konferencë për mediat ka dhënë disa detaje në lidhje me agjendën e zyrtarit të lartë amerikan. 

Në deklaratën e tij, Miller njofton se vizita e Blinken,  në Shqipëri është e para dhe riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Po ashtu një tjetër pikë që vlerëson Miller është mandati që mbajti Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020.

“Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Shqipëria ka qenë një zë i fortë në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës të sovranitetit dhe lirisë së saj kundër agresionit brutal të Rusisë.

Shqipëria ishte udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor” deklaroi Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Ndërkohë zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim, tha se vizita e Blinken në Shqipëri do të përqendrohet tek “e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”. Ish-ambasadorja e Shqipërisë Yuri Kim tha se Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

Ajo tha se Sekretari Blinken do të qëndrojë në Shqipëri që nga ora 11:00 paradite deri në 19-20:00 në mbrëmje dhe gjatë vizitës do të ketë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama. Më pas pritet të ketë dhe një dalje para medias me kryeministrin Rama. Ish-ambasadorja Kim tha gjithashtu se Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP. Gjithashtu sekretari amerikan i shtetit pritet të ketë takim edhe me kreun e SPAK, Altin Dumani. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:32
Zbulohen marrëveshjet që Sekretari Amerikan i Shtetit do nënshkruajë nesër në Tiranë

1707925056_ramablinken.PNG

Dy marrëveshje do të nënshkruhen mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë vizitës që do të mbajë nesër në Tiranë Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken.

Këshilli i ministrave, ka miratuar në parim marrëveshjet të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

Vendimet e Këshillit të Ministrave ditën e sotme (14 shkurt):

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT     TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS     SË SHQIPËRISË (KËSHILLI I MINISTRAVE) DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR PROGRAMIN E SHKËMBIMIT AKADEMIK “FULBRIGHT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M PËR MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT SHQIPËRI – SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS KUNDËR MANIPULIMIT TË INFORMACIONIT TË SHTETIT TË HUAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Ora 12:56
Blinken mbërrin nesër në Tiranë, ja kur do të zhvillohet konferenca për shtyp me Ramën

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton për herë të parë Shqipërinë më datë 15 shkurt.

Në kuadër të kësaj vizite, Sekretari Blinken do të zhvillojë takim dhe më pas konferencë për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

Takimi dhe konferenca janë parashikuar në harkun kohor 16:00-19:00.