Vizita e Erdogan dhe koha që shqiptarët të mendojnë me kokën e tyre!

Vizita e Erdogan dhe koha që shqiptarët të mendojnë me kokën e tyre!

Presidenti turk Erdogan në Kuvendin e Shqipërisë

Sa herë në marrëdhëniet shqiptaro-turke ka ndonjë zhvillim të tipit vizitë zyrtare apo marrëveshje; stërvitje të përbashkëta ushtarake apo marrëveshje ekonomike më fushën e gazit, do të ketë gjithmonë një segment të shoqërisë shqiptare që ngre zërin duke evokuar pushtimin otoman, prapambetjen që na kanë lënë, shmangien nga boshti evropian, islamizimin apo kushtet që paska kjo miqësi.

Tashmë është evidente që një pjesë e tyre nxiten nga fqinjët tanë që duan një Shqipëri të dobët politikisht dhe ekonomikisht dhe pa aleanca strategjike dhe ekuilibruese.

Kurse pjesa tjetër janë viktima të tyre dhe merren me detaje si vizita në 17 janar apo cikërrima që do t’i gjenin edhe sikur vizita të ishte në ditën e të dashuruarve, apo në 28 nëntor. Sikurse ka një pjesë që do të gjenin gabime në qeverinë shqiptare për shkak të frustracioneve të tyre. Por kjo është temë për psikologë!

Tashmë shqiptarët duhet ta kenë të qartë se Shqipëria është shtet sovran dhe si i tillë ka të drejtën të zgjedhë aleancat e saj në bazë të interesit të saj.

Duke filluar nga historia, është e natyrshme që të kemi ngarkesa ndaj një pushtimi që ka zgjatur me shekuj, por nuk duhet të harrojmë se Republika Turke ka lidhje me otomanet aq sa kemi ne me arbrit apo grekët me Bizantin. Natyrisht që janë krenarë për të shkuarën e tyre sikurse ne për tonën, por kombet e mëdha i kanë sytë nga e ardhmja. Turqit e zgjodhën këtë rrugë 99 vite më parë. Ne e zgjodhëm pak më herët, 109 vite më parë.

Kush përpiqet të bëjë paralelizma, është fëminor.

Sa i takon prapambetjes që na paska lënë, bëjmë mirë që shkaqet t’i shikojmë te vetja. Shumë shtete të tjera kanë qenë për periudha të gjata nën sundimin otoman por kjo nuk i ka penguar të zhvillohen. Madje as turqit vetë nuk kanë ndenjur në vend por kanë bërë hapa gjigante.

Republika Turke në planin ushtarak është një anëtar i rëndësishëm i krahut jugor të NATO-s, për mos thënë më i rëndësishmi së bashku me Italinë. Por ajo është edhe një partner i rëndësishëm i ushtrisë shqiptare. Pa ndihmën në mjete logjistike, shkollim dhe specializim kuadrosh, bashkëpunim në fushën e armatimeve moderne, ushtria shqiptare do të ishte ende në kushte primitive.

Edhe fusha ekonomike është investim serioz turk. Kurum, Albtelekom, HEC-et e Bistricës apo Shkopetit, sa për të përmendur disa investime që e kalojnë shifrën e disa qindra milionë eurove, janë ndër më evidentët. Për mos kaluar në faktin që pavarësisht problemeve të fundit për shkak të një rritjeje të pandërprerë me ritme kineze por edhe ndodhjes në një rajon ku ka tre konflikte në proces dhe të tjera latente, Turqia vazhdon dhe mbetet një nga 20 ekonomitë më te mëdha të botës.

Kritizerët shqiptarë duhet të kujtohen se pavarësisht problemeve që perëndimorët kanë me qeverinë turke, të cilat pothuajse gjithmonë fshehin synimet për ekspansion ekonomik apo favore, politikat e tyre ndaj saj nuk kanë ndryshuar. Kurse sa i takon qeverive shqiptare, Shqipëria nuk është në gjendje të imponojë aleatët dhe aleancat. Përballë një boshti Athinë-Beograd me backupin rus, Shqipëria është e detyruar të ketë aleanca me një fuqi rajonale dhe këta janë turqit dhe bullgarët.

Dhe sa i përket standardeve të demokracisë së Turqisë dhe prioritetit që duhet të kemi ne për këtë standard në mbajtjen e marrëdhënieve me ta, ky është një argument qesharak. Aleancat diplomatike, marrëdhëniet ekonomike në një botë ku 95% e shteteve janë ose diktatore ose autoritare, nuk përcaktohen nga forma e regjimit por nga interesi.

Dhe e fundit ka të bëjë me kërkesën e Erdogan për përndjekjen ndaj gylenistëve. Le të rrinë të qetë gylenistët shqiptarë se këtë kërkesë Erdogani e bën sa herë që vjen por gjithmonë ka gjetur një vesh të shurdhër. Madje nga vizita në vizitë atyre iu janë shtuar pronat dhe pasuritë në Shqipëri. Dhe nuk është nevoja të bëjnë puritanin. Ose nëse kanë ndërmend ta bëjnë, ta bëjnë edhe për presidentët grekë që gjithmonë dhe sa herë Shqipëria ecën drejt anëtarësimit në organizatat evropiane dhe atlantike, kanë vënë traun e interesave të tyre dhe minoritetit grek.

Shqiptarët kanë 109 vjet të pavarur. Është koha që të jenë të pavarur edhe psikologjikisht dhe të kuptojnë që janë një shtet që duhet të luajnë me të gjithë gurët që janë në lojën shahut botëror dhe ku Turqia nuk është ushtar por figurë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Soniguru: 20/01/2022 08:43

    Hera e pare qe me pelqen nje shkrim nga ju!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë