Rrjeti Mediatik Ndërkombëtar “Reuters” pasqyron përgatitjet e fundit që po bën Shqipëria për të pritur të dielën Papa Françeskun, në vizitën e tij të parë zyrtare në një vend Europian. “Reuters” shkruan se sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë është pastruar dhe zbukuruar, me një skenë të bërë gati, ku Papa do të mbajë një meshë të dielën. Shqiptarët si katolikë, ortodoksë të krishterë e myslimanë pritet të mbushin sheshin për të dëgjuar Papën të flasë gjatë vizitës së tij një ditore në Tiranë.
 
Gjatë intervistave të marra nga shqiptarët të ndodhur në bulevard, “Reuters” ka veçuar disa prej tyre, një ndër to nga një banor i quajtur Ksenofon Dilo i cili thotë se për ta nuk është e rëndësishme feja që ata kanë, por fakti se vendi ynë po vizitohet nga Papa, pas kaq shumë vuajtjesh për të na dhënë mesazhin se duhet të ruajmë bashkëjetesën paqësore mes kaq shumë feve. E rëndësishme sipas tij është të ndjerit zotin në shpirt dhe kjo është ajo çka do t’u mundësojë shqiptarëve prania e Papa Françeskut.
 
Një tjetër ortodokse e krishterë thotë se fetë e ndryshme kanë shkuar gjithnjë shumë mirë me njëra-tjetrën në Shqipëri. Zonja Stavri Qendro tregon se është nga Berati dhe në qytetin e saj çdo festë fetare festohej së bashku mes të gjithëve, qofshin Pashkë apo Bajram. Papa Francesku po ndjek hapat e Papës John Paul, papati 27 vjeçar i të cilit konsistoi në dhënien fund të Luftës së Ftohtë. Vizita e tij në Shqipëri në vitin 1993 shënoi rigjallërimin e besimit në fe pas një dekade shtypje.
 
Sipas “Reuters”, mesha e së dielës pritet të jetë një event i mirëorganziuar e më pjesëmarrje të madhe. Sipas tyre katolikët përbëjnë 10% të popullsisë, ku 60% të gjithë shqiptarëve janë myslimanë, ndërsa të tjerët janë shumica ortodoksë të krishterë ose agnostikë. Katolikët kanë kërkuar vendin e tyre në këtë dominancë myslimane sidomos gjatë dy shekujve të fundit që pas hapjes së kufijve me vendet Europiane. Ringjallja e besimit dhe bashkëjetesa paqësore me myslimanizmin, sipas “Reuters”, është ajo çka do të kremtohet të dielën, kundër sfondit të trazirave në Lindjen e Mesme dhe shenjave të intolerancës kulturore në Europë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)