TIRANE- Pastori i Kishës Protestante Shqiptare Akil Pano në një intervistë për “A1 Report” flet për vizitën e Papa Franceskut dhe simbolikat që përfaqëson. Pastor Pano, fillimisht ndalet te harmonia fetare që Shqipëria ka prej shumë vitesh, duke e konsideruar si një risi jo vetëm për rajonin e Ballkanit, por dhe më gjerë. Ndërsa vizitën e dytë të një Pape brenda një harku të shkurtër kohor, Pano e shikon si një mesazh të fortë mbështetje, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe gjithë besimtarët e krishterë.

“Ardhja e papës Francesku në Shqipëri është një ogur shumë i mirë për Shqipërinë , për shqiptarët, për fenë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Shqipëria përbën risi dhe për vetë rajonin, në qoftë se shkojmë në Greqi kemi një komunitet monolit, homogjen, përsa i përket çështjes fetare edhe nuk duket sikur ka shumë hapësirë atje për komunitetet e tjera fetare, nëse shkojmë në Turqi në anën tjetër është e kundërta, nuk duket se ka shumë hapësira për të pasur një harmoni të ngjashme me Shqipërinë. Do të thoja të njëjtën gjë dhe për vendet e tjera të rajonit”, tha Pano.
 
Në lidhje me shfaqjen e rrymave ekstremiste në botë, por edhe ndikimi në vendin tonë, për pastorin kjo vjen nga mosnjohja e keqpërdorimi i librave të shenjtë. Por shton se zgjidhja mund të vijë përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar, i cili është shumë i fortë mes komuniteteve shqiptare.

“Ne mund të themi sot që komunitetet fetare kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku e kanë dënuar haptazi dhe qartazi dërgimin apo udhëtimin e këtyre shqiptarëve të Kosovës apo Shqipërisë për në Irak dhe Siri dhe luftën e tyre për një kauzë e cila sot është një kauzë e gabuar. Keqinterpretimi i shkrimeve të shenjta, indoktrinimi dhe dogmatizimi i komuniteteve të caktuara të besimtarëve, të ithtarëve të një feje të caktuar për shkak të një injorance fetare, mosshikueshmërie drejt e qartë të shkrimit apo qëllimtazi janë të dënueshme dhe nga vetë shkrimet e shenjta”, tha Pano.
 
Komuniteti protestant së bashku me 3 komunitetet e tjera fetare në vend do të jetë pjesë e delegacioneve që do të takohen më Papa Franceskun ditën e diel.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)