Lufta në Ukrainë mund të ishte shndërruar në Luftën e Tretë Botërore, por kjo nuk do të ndodhë, tha Donald Trump në krah të Kryeministrit britanik Keir Starmer. Në përmbyllje të vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, Trump tha se, nëse vendet europiane do ta ndalojnë së bleri naftë ruse, Putin do të tërhiqet menjëherë. Kryeministri britanik kërkoi që të shtohet presioni ndaj Rusisë dhe të mbështeten përpjekjet e Evropës.
***
Donald Trump përmbylli vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar pas një takimi me Kryeministrin britanik Keir Starmer. Ata zhvilluan një takim dypalësh në një nga rezidencat qeveritare të kryeministrit për disa orë.
Në konferencën e përbashkët, liderët u pyetën për luftën në Ukrainë. Kreu i qeverisë britanike vuri në dukje sesa e rëndësishme është mbështetja amerikane për t’i bërë presion Rusisë me qëllim përfundimin e luftës.
“Kur presidenti ushtroi presion mbi Putinin, ai u vu në lëvizje. Është e rëndësishme ta bëjmë këtë bisedë në kontekstin e asaj që ka ndodhur në javët e fundit, sepse ato që ka bërë Rusia nuk janë veprime të dikujt që kërkon paqen. Duhet të rrisim përpjekjet, dhe për këtë kemi diskutuar më herët gjatë ditës. Kemi ndërtuar një koalicion vullnetarësh, me udhëheqjen britanike dhe atë franceze që po marrin rol të rëndësishëm në planifikimin ushtarak. Kjo, e kombinuar me një garanci amerikane, është tani një shembull i qartë i sfidës që ka përpara Evropa për të marrë përgjegjësi – dhe për të treguar, përmes asaj që kemi bërë ne dhe francezët, se çfarë është e mundur”.
Trump duket se e ka zgjidhjen për të përfunduar luftën. Ndalimi i blerjes së naftës ruse nga shtetet evropiane, opsion për të cilin shkroi pak ditë më parë në rrjetet sociale do t’i hapte rrugë sanksioneve të SHBA ndaj Moskës.
“Shumë thjesht, nëse bie çmimi i naftës, Putini do të tërhiqet nga lufta, ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër. Kur mësova se vendet evropiane po blinin ende naftë nga Rusia, e pata të vështirë të justifikoja mbështetjen time. Jam i gatshëm të ndërmarr edhe hapa të tjerë, por jo kur ata për të cilët po luftoj, vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia. Nëse çmimi i naftës bie, shumë thjeshtë, Rusia do të ulet për të bërë marrëveshje”.
Sipas Presidentit amerikan, lufta e egër po sjell humbje të mëdha në njerëz për Rusinë, e cila sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, po humb më shumë njerëz sesa ata që po vret në Ukrainë.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë e SHBA, Melania Trump, kanë përfunduar vizitën zyrtare në Britani të Madhe.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë përfundoi vizitën 2-ditore, me një axhendë të ngjeshur takimesh.
Së bashku me anëtarët e lartë të stafit të Presidentit, Donald dhe Melania Trump u nisën drejt SHBA-së.
Takimi i fundit për Trump në Britani ishte ai me Kryeministrin Keir Starmer, teksa të dy bashkë dolën në një konferencë për shtyp.

Në konferencën për shtyp me Kryeministrin britanik Keir Starmer, Presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA kërkon të rimarrë mbrapsht bazën ajrore në Afganistan.
Sipas Trump, baza ajrore e Bagramit është një vend strategjik sepse ndodhet 1 orë larg vendit ku Kina prodhon armët e saj bërthamore.
“Po përpiqemi ta rimarrim atë. Po përpiqemi ta rimarrim sepse ata (afganët) kanë nevojë për gjëra nga ne. Ne e duam atë bazë të kthehet. Por një nga arsyet pse e duam bazën është, siç e dini, se është një orë larg nga vendi ku Kina prodhon armët e saj bërthamore”, u shpreh Donald Trump gjatë konferencës me Starmer në vizitën zyrtare në Britani të Madhe.
Kujtojmë se trupat amerikane u larguan nga Afganistani në një situatë kaotike në gusht të vitit 2021, kur SHBA nënshkroi marrëveshje me talebanët të cilët morën kontrollin e shtetit.
Baza ajrore e Bagramit ka qenë pika kyçe e SHBA-së në pushtimin 20-vjeçar të Afganistanit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është kundër me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, mbi njohjen e një shteti palestinez nga Britania e Madhe.
Trump, i cili kohët e fundit ka pasur përplasje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për sulmin e tij ndaj udhëheqësve të Hamasit në Katar, ofroi vetëm mbështetje për Izraelin gjatë përgjigjes së tij sot në një konferencë shtypi rreth Lindjes së Mesme.
Ai nënvizoi mizoritë e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe tha se objektivi i tij kryesor ishte lirimi i pengjeve.
‘Dua që pengjet të lirohen tani, pikërisht tani. Kam dëgjuar histori që nuk i kam menduar kurrë të mundshme. Nuk kishte njerëzim, asgjë».
Trump ofroi pak detaje specifike se si e parashikonte ai përfundimin e luftës dhe nuk përmendi operacionin aktual të Izraelit në Gaza.
Në vend të kësaj, ai i paraqiti qëllimet e tij në terma të përgjithshëm.
“Dua një fund, dua që pengjet të lirohen dhe mendoj se gjithçka do të shkojë mirë’, tha ai.
Lidhur me planet e Starmer për të njohur shtetin palestinez, duke iu bashkuar një numri kombesh të tjera në ditët në vijim, Tramp pranoi se ka mosmarrëveshje me Starmer për këtë temë.
‘Kam një mosmarrëveshje me kryeministrin për këtë çështje. Një nga mosmarrëveshjet e pakta që kemi’, tha ai.
Gjatë vizitës së tij në Britani, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri britanik Starmer kanë nënshkruar një marrëveshje të re partneriteti teknologjik midis Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së.
Një numër kompanish të mëdha amerikane të teknologjisë kanë njoftuar se do të bëjnë investime në Mbretërinë e Bashkuar.
Microsoft është investitori më i madh i vetëm, duke njoftuar një paketë shpenzimesh prej 30 miliardë dollarësh (22 miliardë paund) - më e madhja ndonjëherë jashtë SHBA-së.
Google ka premtuar 5 miliardë paund për kërkimin dhe infrastrukturën e inteligjencës artificiale gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa kompania e çipave kompjuterikë Nvidia njoftoi 500 milionë paund për ndërtimin e më shumë qendrave të të dhënave për të ndihmuar në funksionimin e inteligjencës artificiale në Britani.
Liderët e teknologjisë, përfshirë Jensen Huang të Nvidia-s, shefin e OpenAI, Sam Altman dhe Satya Nadella të Microsoft-it, shoqëruan Trump-in në banketin shtetëror në Kështjellën Windsor mbrëmë.
Komente









