Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, e cilësoi si shumë të rëndësishme dhe historike vizitën e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi.

"Nga perspektiva e SHBA kjo vizitë ka qenë shumë e rëndësishme. Do t'ia lë qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Serbisë që të adresojnë pikat e tyre specifike për këtë vizitë", tha Arvizu.

"Për SHBA-të kjo vizitë ka qenë shumë e rëndëishme, historike dhe unë bie dakord me këtë karakterizim të saj. Pasi një periudhë 68 vjeçare është tejet e gjatë në mënyrë që drejtuesit e zgjedhur të dy vendeve fqinje të mund të takohen dhe të flasin. Duke shpresuar që të dyja vendet do të mund të ndërtojnë mbi këtë vizitë, dua të theksoj se ka qenë inkurajuese që pas incidenteve që ndodhën në ndeshjen e futbollit të mund të caktohej një datë tjetër për t'u takuar", tha Ambasadori Arvizu.


Është e rëndësishme, vijoi Arvizu, " që ata gjithashtu të mund të ndërtojnë disa hapa të rëndësishëm si marrveshjet për shkëmbimin e të rinjve. Le të shpresojmë që ata të mund të punojnë me njëri-tjetrin dhe z. Vuçiç të vizitojë Shqipërinë në 2015-ën dhe kjo do të jetë diçka shumë e rëndëishme për rajonin dhe gjithë Europën".