BEOGRAD-Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar një takim me Donald Trump Junior, djalin e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Pamjet nga ky takim janë publikuar nga vetë Vuçiç në një postim në rrjetin social Instagram, ku ai ka ndarë disa nga temat që u diskutuan gjatë bisedës.

Sipas Vuçiç, në qendër të takimit kanë qenë zhvillimet aktuale që ndikojnë në skenën politike dhe ekonomike globale, si dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Një bisedë e përzemërt me Donald Trump Jr., rreth marrëdhënieve dypalëshe mes Serbisë dhe SHBA-së dhe temave të rëndësishme globale," shkruan Vuçiç. Ai thekson se gjatë bisedës ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve, sidomos në fushën ekonomike dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme.

Vuçiç e ka cilësuar takimin si një simbol të angazhimit për të forcuar lidhjet mes Beogradit dhe Uashingtonit dhe për të bashkëpunuar në adresimin e sfidave globale, raporton Kurir.

Kjo vizitë ka ngjallur interes të madh, veçanërisht në këtë periudhë të tensioneve në rajon, dhe pritet që të sjellë zhvillime të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare. 

" />