11 maj 1959. Takim me ambasadorin sovjetik. Më dha lajmin se Hrushovi do të vijë në Shqipëri.
12 maj 1959. Sot në mbledhjen e Byrosë Politike u diskutua mbi projektprogramin për vizitën që do të bëjë në Shqipëri delegacioni i partisë dhe i qeverisë sovjetike. Prita A. Kosiginin. Ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në sesionin e 11-të të KNER-it që do të zhvillohet në Tiranë. Filloi mbledhja e KNER-it.
13 maj 1959. Takim me ambasadorin e jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Bashkimit Sovjetik, Ivanovin, lidhur me vizitën që do të bëjë Hrushovi në Shqipëri.
19 maj 1959. Takim me Ivanovin. Më dorëzoi një radiogram të Hrushovit, ku, si kusht për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri, na kërkon që as ai, as ne gjatë fjalimeve publike të mos e prekim fare çështjen e revizionizmit jugosllav. Ja gjer ku paska arritur puna! Kërkon të na mbyllë edhe neve gojën! Kërkova menjëherë ta shtrojmë problemin në Byronë Politike e t’i japim përgjigje mysafirit që presim të na vijë. Pasi diskutuam për radiogramin e Hrushovit, vendosëm që ta pranojmë kushtin e tij (të mos flasim për Titon gjatë ditëve të vizitës së tij në Shqipëri). Titon dhe ata që mendojnë e veprojnë si Titoja, le t’i gënjejë mendja. Por, me të ikur Hrushovi, ne do t’i lëshojmë përsëri bateritë kundër revizionizmit modern. Ne kemi arsyet tona për pranimin e këtij kushti. Është hera e parë, që nga Çlirimi, që në vendin tonë vjen për vizitë zyrtare Sekretari i Parë i KQ të PK të BS dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik. Kjo shpresoj se do t'i shërbejë forcimit të miqësisë me popujt e Bashkimit Sovjetik dhe të marrëdhënieve ekonomike midis të dy vendeve. Shpresojmë që të vazhdojnë të na ndihmojnë për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë e të bujqësisë sonë, ndihmë për të cilën ne kemi akoma nevojë. Edhe në arenën ndërkombëtare, armiqtë do të jenë të detyruar ta respektojnë më shumë pavarësinë e vendit tonë.
21 maj 1959. Takova sot Ivanovin dhe i komunikova se e pranojmë kërkesën e udhëheqjes sovjetike.
25 maj 1959. Erdhi në Shqipëri Nikita Hrushovi. E pritëm në aerodrom me fjalim. Pastaj gjithë delegacionin sovjetik e pritëm në selinë e Qeverisë ku çështja e parë që Hrushovi zuri në gojë ishte: “Unë nuk do të flas kundër Jugosllavisë”. Filluan bisedimet. Ekspozenë nga ana jonë e bëra unë. Delegacioni sovjetik vendosi kurora në Varrezat e Dëshmorëve.
28 maj 1959... Prita në selinë e Komitetit Qendror mareshalin kinez Pin De Hua, i cili mbërriti sot në Shqipëri në krye të një delegacioni ushtarak kinez. Në mbrëmje dhamë darkë për të. Folëm unë dhe Pin De Huaja.
2 qershor 1959... Vizituam Butrintin. Ndërsa po soditnim bukuritë e Butrintit, Hrushovi thirri pranë Malinovski-n dhe i dëgjova tek pëshpëritnin: “Shiko ç'mrekulli është këtu! Mund të ndërtohet një bazë ideale për nëndetëset tona... Që këtej mund të paralizojmë e të sulmojmë gjithçka”. Më çuditi ky mendim i llogaritur prej tij “pa pyetur fare të zotët e shtëpisë”, siç thotë populli.... Sot u largua nga Shqipëria mareshali Pin De Hua.
3 qershor 1959... Kur nga veranda e vilës tek Uji i Ftohtë, ku po pushonim, soditnim detin përpara nesh, ashtu si dje në Butrint, Hrushovi diskutonte, nën zë, me Malinovskin: “Çfarë gjiri i sigurt rrëzë këtyre maleve! Që këtej me një flotë të fuqishme ne kemi në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori e gjer në Gjibraltar!”. U kthyem me avion në Tiranë. Në Rinas u ndalëm për të vizituar aeroplanin TU-114 me të cilin kishte ardhur akademiku Tupolev, kryekonstruktor i këtij tip avioni. Vumë gurin e parë të ndërtimit në Pallatin e ri të Kulturës në Tiranë. Darkë në Pallatin e Brigadave për delegacionin sovjetik.
4 qershor 1959. Sot përcollëm Hrushovin, i cili do të ndalet në Budapest. Në Rinas fola unë, foli edhe Hrushovi.
Lajmi kryesor: