TIRANË - Dy oficerë policie të Drejtorisë së Policisë së Fierit, janë arrestuar pasi akuzohen për vjedhjen e dy armëve në magazinën e Komisariatit të Ballshit.

Ministria e Brendshme, ka bërë të ditur se, dy punonjësit e policisë, Ermal Topçija, 37 vjeç dhe Hekuran Zenelaj, 29 vjeç, janë ndaluar në flagrancë pasi akuzohen për “vjedhjen në bashkëpunim të dy armëve të zjarrit” nga magazina e këtij komisariati.

Arrestimi i tyre është bërë nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Mnistria e Brendshme bëri të ditur se, të arrestuarit janë, “punonjësin e policisë N/Komisar Ermal Topçija, 37 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, me detyrë Specialist i Hetimit dhe Parandalimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër dhe magazineri i Komisariatit të Mallkastrës, Hekuran Zenelaj, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Aranitas, të rrethit Mallakastër”.

Arrestimi i tyre është bërë për arsye se janë autorët e dyshuar të vjedhjes në bashkëpunim të dy armëve të zjarrit të llojit pistoletë në magazinën e Komisariatit të Mallakastrës. Dosja me materialet hetimore i janë përcjellë organit të prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale të "vjedhjes, në bashkëpunim”, si dhe "vjedhje duke shpërdoruar detyrën, në bashkëpunim”.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)