TIRANË, 8 Shtator/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të lënë në burg Guvernatorin Ardjan Fullanin dhe për Inspektoren e Përgjithshme Elivar Golemi, nuk u ka pëlqyer aspak të pandehurve të cilët akuzohen për "Shpërdorim detyre" për rastin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqiëprisë.
Pikërisht duke u nisur nga sa më lartë, Maks Haxhia, avokati i Fullanit dhe kolegu i tij, avokati i Golemit pritet të trokasin sot në dyert e Gjykatës së Apelit për të kërkuar ndryshimin e masë së sigurisë, pasi sipas tyre akuza ndaj të pandehurve nuk është dëmë penal.
"Arresti me burg", për Fullanin ishte një masë ekstreme, që zbatohet në kushte ekstreme dhe jo ndaj një personaliteti me adresë të përcaktuar qartë dhe që nuk përbën rrezikshmëri shoqërore. Për veprën penale "Shpërdorim detyre" parashikohet një dënim deri në 7 vjet burg, por gjithsesi, vendimi i sotshëm do të ankimohet nesër në Gjykatën e Apelit. Akuzat e Prokurorisë nuk qendrojnë, pasi në qoftë se do të zbatohej përgjegjësia penale për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, çdo personalitet ose çdo funksionar shteti, do të ishte i rrezikuar të futej; aty janë ngatërruar shkeljet administrative me veprimet dhe mosveprimet që sjellin pasoja të karakterit penal", deklaroi dje pas seancës gjyqësore avokati Maks Haxhia./a.g/