Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është mbajtur seanca paraprake me dyer të mbyllura ndaj Ilir Beqajt për vjedhjen e fondeve të BE-së kur ai drejtonte agjencisë SASPAK.
Edhe pse me dyer të mbyllura, Report Tv ka mundur të sigurojë një pjesë të fjalës që Beqaj ka mbajtur në seancë, ku ka kundërshtuar akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë, për të cilën thotë se pozicioni i tij si drejtor i SASPAK nuk hyn në listën e funksionarëve të lartë.
Por nga raportimi i djeshëm i kreut të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin e Ligjeve, Ilir Beqaj u shpreh se kuptoi përse e kanë kualifikuar veprën ndaj tij sikur ka qenë funksionar i lartë shtetëror.
Sipas Beqajt, cilësimi në këtë formë do t’i shërbente statistikave të SPAK-ut për hetimin e funksionarëve të lartë për vjedhjen e fondeve të BE-së.
SPAK e akuzon Ilir Beqajn se ka vjedhur fondet e BE-së kur drejtonte agjencinë e SASPAK.
Krahas kësaj dosje, Ilir Beqaj akuzohet edhe për koncesionin e “Sterilizimit” në shëndetësi.
Fjala e Ilir Beqajt:
E nderuar Gjykatë,
Edhe pse kjo seancë zhvillohet me dyer të mbyllura dua të bëj deklaratën në vijim:
Në njoftimin e akuzës, 17 shkurt 2025 unë akuzohem edhe për veprën e korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë për veprime të kryera në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC.
Në 6 shtator 2023 procedimi penal 190/2023 është regjistruar për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarit publik. Më tej është bërë rikualifikim i veprës penale.
Në vendim e caktimit të masës në shkallën e parë të GJKKO në 6 korrik 2024 shkruhet se, por edhe arsyetohet pse, Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë.
Edhe në vendimin e apelit të GJKKO po për vlerësimin e masës së sigurisë me 7 gusht 2024 shkruhet se, por edhe arsyetohet pse, Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë.
Se kush funksionar i lartë sipas Kushtetutës dhe Kodi i Procedurës Penale, është shumë e qartë. Listë e subjekteve është shteruese. Më ka habitur shumë kjo lloj akuze. Kam pritur ballafaqimin gjyqësor. Por nga dje e kuptova. Më sqaroi drejtuesi i SPAK me çfarë raportoi në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit. Mesa duket SPAK i mungonte në statistika hetimi i funksionarëve të lartë që shpërdorojnë fonde të BE-së. Po ashtu kuptova edhe masën e sigurisë joproporcionale.
Janë disa vendime të Gjykatës së Posaçme që kanë rrëzuar SPAK lidhur me cilësimin e funksionarit të lartë. SPAK vijon me të vetën, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë fle gjumë.
Komente










