Vjedhja e Prokurorisë së Durrësit, Gjykata lë në burg 3 të arrestuarit: Lanë gjurmë gishtash
Gjykata e Durrëst lë në burg dy autorët e dyshuar të vjedhjes së bujshme të Prokurorisë tre ditë më parë dhe punonjësin e 'Firdeus Security', Niaz Lena.
Sipas Prokurorisë, është provuar me prova shkencore se Isa dhe Bushi janë autorët e vjedhjes së zyrës së prokurorit të Durrësit, Afrim Shehu. Ky i fundit po hetonte abuzimet me pronat në ish-komunën e Ishmit ku i proceduar është edhe ish-kreu i kësaj komune, Sulejman Ibrahimi. Organi i akuzës ka bërë të ditur se autorët kanë lënë gjurmë gishtërinjsh në ambientet e brendshme të Prokurorisë gjatë vjedhjes.
Autorët e dyshuar të vjedhjes para gjykatës
Hetuesit arritën në gjurmët e Bushit dhe Isës nga pamjet filmike të bizneseve në zonë, qelizat e telefonave dhe gjurmët e gishtave që ata lanë teksa plaçkitën zyrën e prokurorit Afrim Shehi dhe serverin e kamerave. I dyshuar për këtë ngjarje u ndalua edhe roja i kompanisë 'Firdeus' Niaz Lena po për të është vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës.
Gjyqtarja e çështjes Laureta Tafa vlerësoi si bindëse provat e prokurorëve Drini Pali dhe Pal Decolli, në ngarkim të të dyshuarve, duke dhënë arrest me burg për ta.
Nga ana tjetër, Artur Isa dhe Besnik Bushi mohojnë të jenë ata autorë të grabitjes, ndërsa gjithashtu mohojnë edhe të kenë njohje me njëri-tjetrin. Dyshohet që Isa dhe Bushi të kenë pasur për qëllim shkatërrimin e provave për dosjet e abuzimit me pronat në vijën bregdetare. Sipas burimeve nga prokuroria, dy autorët kryen vjedhjen për hesap të një personi tjetër, që ka një proces të hapur hetimor për tjetërsimin e pronave në bregdet.