TIRANE - Jam i pafajshëm! Këtë përgjigje dha për herë të para para hetuesve ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ndërsa qëndroi përreth 2 orë përballë Prokurorit Ramadan Troci që e akuzon për shpërdorim detyre në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga thesari i BSH.

Fullani u paraqit për herë të dytë në Prokurori mëngjesin e kësaj të Premteje, por është hera e parë që ai jep përgjigje përballë 5 shkeljeve konkrete të evidentuara nga Prokuroria që e vënë atë nën akuzë për shpërdorimin e detyrës në krye të institucionit më të lartë financiar në vend.I shoqëruar nga dy avokatët e tij, Maks Haxhia dhe Ardian Visha, Fullani i është përgjigjur rreth 30 pyetjeve që prokurori Troci kish adresuar ndaj tij.

E teksa ish-Guvernatori deklaron se është i pafajshëm, ende ndaj tij nuk është komunikuar akuza zyrtare, ndërsa burime nga grupi hetimor thanë për A1Report se shpërdorimi detyrës nga Fullani tashmë është i provuar. Në ndryshim nga 5 ditë më parë ku ish Guvernatori u paraqit për herë të parë në prokurori dhe nuk dha asnjë shpjegim, këtë të premte sëbashku me avokatët e tij mbrojtës Fullani ka dorëzuar dhe një memo me 5 pika pranë akuzës.

Avokati Maksim Haxhia theksoi për mediat se pati bashkëpunim të frytshëm me hetuesit.

“U përgjigj i zoti i punës. Ishte një bashkëpunimi shumë i frytshëm për procesin e hetimit, që bazohet në 5 pikat. U dhamë shpjegimet përkatëse, paraqitëm një memo të detajuar, iu përgjigjëm pyetjeve që ka ngritur akuza dhe materiali që pretendohet të akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”, tha avokati Haxhia.

Ja 5 akuzat e prokurorise per Fullanin

Fullani veteshpallet i pafajshem para prokuroreve
Ish-guvernatori ka pohuar se gjatë drejtimit të Bankës së Shqipërisë nuk ka shkelur asnjë rregullore dhe dispozitë ligjore, pasi detyra e tij primare ishte ndjekja e politikës monetare dhe jo e nxjerrjes së akteve administrative dhe rregulloreve. Për këtë pjesë sipas Fullanit ishte Këshilli Mbikqyrës i BSH, i cili merrte vendim me votë, vendime më pas që i dërgoheshin departamenteve për zbatim. Sipas Fullanit ai nuk ka pasur asnjëherë lidhje dhe njohje me shtetasin Ardian Bitraj, i cilësuar nga prokuroria si personi kryesor që ka kryer vjedhjen e parave.

Fullani: Problemi, njerëzit
Në dëshminë që Fullani ka dhënë para prokurorëve ka deklaruar se BSH, ka funksionuar brenda rregullave ligjore dhe se i vetmi problem që është hasur, ka qenë tek Departamenti i Emisionit në Linzë. Këtu, sipas Fullanit nuk ka qënë problem teknika dhe teknologjia apo dhe rregullorja, por i vetmi problem që ka çeduar është grupi i personave, që tashmë akuzohen për vjedhjen e bankës, duke nënkuptuar Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzian. ”Gjithçka ka ndodhur në atë departament nuk ka ardhur për shkak të mungesës së rregullave, për këtë çdo veprim i imi është i bazuar në ligj. Në Departamentin e Emisionit nuk mungonin rregullat, por ajo që ndodhi erdhi sepse aty ka çeduar elementi njerëzor”-ka shtuar ish-Guvernatori.

Vjedhja e thesarit ne 4 dosje
Sipas burimeve nga Prokuroria për A1 REPORT, hetimet për ish-guvernatorin Fullani, dhe 3 të akuzuarit e tjerë të cilët janë ende në hetim për skandalin në BSH, do të përfundojnë brenda muajit Dhjetor. Por burimet thonë se me mbylljen e hetimeve, Fullani do të gjykohet më vete, çka do të fliste për ndarjen në 4 dosje të skandalit të vjedhjes së thesarit.

Konkretisht, cështja e parë më vete është për 10 ish-punonjësit e BSH të cilët kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, dosja e dytë për ish-inspektoren e Përgjithshme të BSH, Elivar Golemi dhe 4 të pandehur të tjerë të cilët kanë nisur të gjykohen, dosja e tretë do të jetë ajo e ish-përgjegjësit të Arkës Stok në thesar, Ardian Bitraj, nipit të tij Klevis Bejtja dhe punonjëses Mimoza Bruzia, dhe së fundi, pritshmëritë që Fullani të gjykohet më vete. Bitraj, Bruzia e Bejtja, nga hetimet e kryera deri më tani rezultojnë të lidhur drejtpërdrejtë me vjedhjen.


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)