SHKODER - Frikë dhe pasiguri në zonën periferike të qytetit të Shkodrës, si shkak i vjedhjeve me thyerje çdo natë të dyqaneve. Një tjetër kioskë është thyer e më pas vjedhur gjatë natës së kaluar pranë lagjes “3 heronjtë”.

Edhe pse në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë gjetja e autorëve ka qenë e pamundur. Rastet e përsëritura të thyerjeve të dyqaneve dhe shtëpive për të cilat policia akoma nuk ka identifikuar asnjë autor po bëjnë që banorët e qytetit verior të mos ndjehen të sigurt.

Gjatë këtij fillimviti vetëm në lagjen “3 Heronjtë” mësohet se kanë ndodhur 10 vjedhje me thyerje në dyqane apo banesa. Kryesisht janë grabitur artikuj të ndryshëm ushqimorë dhe paketa duhani, një dëshmi kjo e shtimit të varfërisë në rrethin verior.

Sipas policisë thyerja e grilave metalike tregon se kemi të bëjmë me vjedhje të mirëorganizuar, por ende pa autor.

Ndërsa banorët bëjnë thirrje për shtimin e patrullave policore gjatë natës në rrugët e qytetit dhe marrjen e masave urgjente për ndalimin e fenomenit.

Shkoder, vjedhje dyqanesh
(Në foto kioska e vjedhur në Shkodër)

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)