Vjen B-Corp, 1 certifikim global për sipërmarrjet shqiptare! Përvoja italiane e certifikimit, rëndësia në tregun evropian

Më shumë përfitime ekonomike por jo vetëm, zhvillim të qëndrueshëm, vlerësim të punonjësve, transparencë dhe llogaridhënie! Këto janë vetëm disa nga përfitimet që sjell certifikimi B-Corp i sipërmarrjeve të biznesit, temë për të cilën është folur në rezidencën italiane në Shqipëri mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke iu ofruar kështu mundësinë edhe sipërmarrjeve shqiptare të bëhen pjesë e këtij certifikimi.

B-corp ose Benefit Corporation është një certifikatë, që u jepet ndërmarrjeve të cilat u përmbahen kritereve të qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe mjedisore. Këto kritere, të vlerësuara në kuadër të B Impact Assessment (BIA) u referohen pesë zërave: punonjës, komunitet, klientë, ndikim mjedisor, model qeverisës. Bazuar edhe në hulumtime ndërkombëtare, B-Corp sjell më shumë sukses për bizneset dhe rritjen e të ardhurave.

Sipërmarrës italianë kanë ndarë përballë kolegëve shqiptarë përvojën e tyre lidhur me këtë nismë.  Relatorët u parashtruan sipërmarrësve të pranishëm përfitimet për ndërmarrjet e tyre, të tilla si emri i mirë dhe rritja ekonomike nga marrja e certifikimit B-Corp. I pranishëm ishte edhe themeluesi dhe Paolo Rossi, drejtuesi i “Promos Srl Sb”, shoqëri italiane promotore e eventit, e ngarkuar me promovimin e standardeve B-Corp dhe vënien në pah të mundësive në Shqipëri, si dhe përfaqësues të “B Lab Europe”, filial evropian i konsorciumit që lëshon certifikimin.

“Lëvizja e B-Corp është një lëvizje globale, pjesë e dhjetëra mijëra agjendave që janë certifikuar në dhjetëvjeçarin e fundit. Evropa po rritet dhe kemi ardhur në Shqipëri për të sjellë këtë mundësi te kompanitë italo-shqiptare apo shqiptare, që të bëhen pjesë e këtij rrjeti të rëndësishëm. Certifikimi B-Corp është ndoshta sot më i rëndësishmi i njohur në nivel botëror dhe kompani të rëndësishme certifikohen për të demonstruar impenjimin e tyre në nivelin social, mjedisor dhe në nivelin ekonomik, por të një ekonomie të drejtë dhe të ekuilibruar.”, - thotë Rossi për "Report TV".

Sipas Rossi-t, investitorët shqiptarë kanë një mundësi mjaft të madhe dhe në një shoqëri evropiane, certifikimi B-Corp përgatit për kompanitë atë çfarë tregu kërkon. Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti vëren se në Itali i kushtohet mjaft rëndësi kësaj perspektive të re në sipërmarrje.

"Vendosëm të organizojmë këtë aktivitet të parë dedikuar kësaj teme në rezidencën italiane. Kemi ftuar sipërmarrës, menaxherë dhe operatorë biznesesh sepse duam të rrisim ndërgjegjësimin për përfitimit e koorporatave nga certifikimi B-Corp në lidhje me të ardhmen, por edhe për rëndësinë e tërheqjes dhe mbajtjes së talenteve, sepse të rinjtë sot duan diçka të re, të punojnë për kompani që janë më të përgjegjshme, më të vetëdijshme për respektimin e mjedisit, ndikimin social etj. Besojmë që është një nga pikat kyç të rrisim cilësinë dhe nivelin e sipërmarrjes në Shqipëri. Edhe në Itali po punojmë së tepërmi në këtë temë. Ne kemi rreth 315 kompani në Itali që tashmë kanë janë në nivelin e kompanive përfituese dhe besojmë se është një mënyrë fantastike të tërheqim investime të reja, sepse kompanitë B-Corp tërheqin më tepër investime dhe më cilësore e të qëndrueshme.”,- thotë Alberti.

Muaji mars është caktuar si muaji i B-Corp dhe në të gjithë botën ka nisur një fushatë vjetore globale, që bashkon afro 10 000 korporata të certifikuara B në më shumë se 100 vende dhe 160 industri. Certifikimi B-Corp është mjaft i vlerësur nga tregu evropian dhe institucionet ndërkombëtare, arsye këto që e bëjnë shtrirjen e tij faktor thelbësor, si për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, ashtu edhe për tërheqjen e investimeve të huaja dhe lehtësimin e kreditimit.

Përmes aktivitetit të organizuar synohet promovimi i lëvizjes globale të sipërmarrjeve B-Corp, nxitja e veprimtarive në mbështetje të transformimeve strukturore të sipërmarrjeve, për t’i bërë ato gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme dhe inkurajimi i certifikimit të realiteteve sipërmarrëse të pranishme në vendin tonë.

B.G/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 10:18

    Nisin kualifikueset e Botërorit, si del Angli-Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Lëvizte me automjet për të shitur një armë zjarri, arrestohet 20-vjeçari në Shkodër (VIDEO)

Lëvizte me automjet për të shitur një armë zjarri, arrestohet 20-vjeçari në Shkodër (VIDEO)