Edhe pse të gjithë raportet vendase e të huaja flasin për rritje ekonomike, biznesi ka perceptim të kundërt, teksa shfaqen pesimist për gjendjen e sipërmarrjes mes mungesës së prodhimit dhe kontratave të reja.

Besimi në ekonomi në muajin nëntor ra me 2.6%, për shkak të pritshmërive jo pozitive të bizneseve, e sidomos të sektorit të shërbimeve ku përfshihet edhe turizmi.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë në muajin nëntor bizneset në sektorin e shërbimeve ulën besimin në ekonomi me 5.7% për shkak të vlerësimeve më pak pozitive të bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Edhe pse turizmi i vjeshtës ka rezultuar më i mbarë se në verë, përsëri ky sektor është i pakënaqur për të tashmen dhe me pritshmëri pesimiste edhe për muajit e ardhshëm.

Jo optimistë janë edhe ndërtuesit, me besim në rënie me 3.1% në muajin e kaluar, në raport me tetorin. Në vrojtim thuhet se ky sektor ka raportuar për rënie të aktivitetit ndërtues dhe se ka më pak porosi për apartamente.

Edhe tregtia është në rënie me 2.3%, pasi kanë probleme me punësimin, kurse industria edhe pse mbetet në të njëjtin nivel pritshmërie, është e shqetësuar për mungesën e kontratave për porosi nga eksportet.

Të vetmit optimistë të nëntorit janë qytetarët tek të cilët treguesi i besimit u rrit me 0.8%, i bazuar në pritshmëritë për gjendjen personale financiare, si dhe situatën ekonomike në të ardhmen.