TIRANE- Shoqëria civile greke si edhe banorë të zonës perëndimore të Greqisë, prej kohësh kanë kontestuar projektin disa vjeçar të qeverisë greke për devijimin e lumejve që ndodhen në këtë territor. Një nga këto lumenj është edhe lumi i Vjosës, i cili përshkon edhe territorin e Shqipërisë. Deri më tani qeveria greke ka anulluar projektin për devijimin e një prej lumenjve. Ndërkohë shoqëria civile si dhe banorët e zonës janë në pritje që Këshilli i Lartë i Shtetit të Greqisë të marrë të njëjtin vendim për sa i përket devijimit të lumit të Vjosës.
Lumi
Qeveria greke parashikon që të devijojë rrjedhën e lumit të Vjosës me qëllim që të pasurojë ujërat e liqenit të Janinës, në mënyrë që më pas të ndërtohet një hidrocentral. Sipas projektit, devijimi do të ndodhte afër burimit të Vjosës që ndodhet në territorin grek, duke dvijuar 70 milion m3 ujë nga fshati Vuvusa në drejtim të liqenit të Janinës. Ky lum përshkon 68km të Greqisë përpara se hyjë në territorin e Shqipërisë.
 
Marrëveshja
Në 31 korrik të vitit 2013, zyrtarë shqiptarë dhe grekë kanë qenë të përfshirë në negociata për sa i përket devijimit të mundshmëm të lumit të Vjosës. Po e gjitha kjo u zhvillua në një “fshehtësi mediatike”.
 
Devijimi
Lumi i Vjosës është devijuar njëherë gjatë viteve ’80. Në këtë menyrë është mundësuar krijimi i hidrocentralit të Pigeut. Ky hidrocentral ka një kapacitet prodhimi prej 150 milionë kWh në vit. Prurjet e lumit të Vjosës që furnizojnë liqenin artificial, nga i cili furnizohet hidrocentrali i lartpërmendur, kapin shifrën e 90 deri në 260 milionë m3 në vit. Bisedimet midis palës shqiptare dhe asaj greke për devijimin e lumit të Vjosës kanë nisur në vitin 1978.

Në atë kohë, zyrtarët grekë kanë njoftuar Komisionin Shqiptaro-Grek se planifikonin të bënin një devijim të mundshëm të ujërave të Vjosës deri në 80%. Nga ana tjetër pala shqiptare, në vtin 1984 u shpreh kundër kësaj nisme nëse nuk do të gjehej një zgjidhje, e cila nuk cënonte interesat kombëtare të Shqipërisë. Ndërkaq, në vitin 1991, grekët kanë devijuar rreth 13% të ujrave të Vjosës për të ndërtuar një hidrocentral që ndodhet në afërsi të Metsovos.
 
Kundërshtimi
Për sa i përket kesaj nisme, kundërshtimi ka qenë i fortë nga banorët e zonës dhe shoqata të ndryshme ambientaliste. Si rrjedhojë në nëntor të vitit 2013, bashkia e Zgorisë dhe e Konicës, Fondi Botëror për Natyrën dega e Greqisë, Universiteti i Mesdheut si dhe shoqata ambientaliste, e kanë çuar këtë çështje në Këshillin e Lartë të Shtetit të Greqisë. Kjo çështje ka ngjallur një debat të gjërë në shtetin fqinjë. Për më tepër një eurodeputet grek e ka çuar këtë çështje në Parlamentin Europian. Gjithashtu aktivistë të shumtë janë përfshirë në një fushatë në rrjetet sociale për të lobuar kundër devijimit të lumit të Vjosës.
 

Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)