Vjosa Osmani: Negociatat me Serbinë kanë ngecur për fajin e tyre, nuk shkëmbehet territori me dikë që ka bërë gjenocid me popullin tënd

Vjosa Osmani: Negociatat me Serbinë kanë ngecur për fajin e tyre, nuk shkëmbehet territori me dikë që ka bërë gjenocid me popullin tënd

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Mes tensioneve në marrëdhëniet diplomatike, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pretendime të qarta territoriale karshi Kosovës dhe shteteve tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor.

Osmani në një intervistë për “Veçernji List”, ka thënë se Vuçiçi po synon të destabilizojë rajonin për t’i arritur qëllimet, porse Kosova me forcat e saja dhe me ndihmën e NATO-s do t’i parandalojë këto skenarë. Osmani është pyetur për dërgimin e Ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Sigurisht se veprimet e Vuçiqit janë lëvizje shqetësuese, jo vetëm për ne, por edhe për rajonin e gjerë, sepse synimi i tij është të destabilizojë. Ai dëshiron të bllokojë, që rajoni ynë të mos marrë rrugën atlantike, e në të njëjtën kohë, kjo është edhe dëshirë e Rusisë. Rusët duan ta shohin Ballkanin Perëndimor të destabiliziuar, e Vuçiçi me politikën e tij po i bën favor të madh Vladimir Putinit. Luan si bashkëpunëtor i Putinit, kështu që dërgon ushtri në kufi, bashkëpunon me forca paramilitare duke krijuar probleme, e me këtë dëshmon jo vetëm synimet e veta por edhe të Putinit. Është e rrezikshme të kesh një fqinje të tillë si Serbia, për këtë arsye ne po punojmë në mundësitë tona mbrojtëse, por në Kosovë është edhe NATO që të ndalojë skenarë të caktuar. Jam e bindur se në Kosovë do të ketë paqe e stabilitet të cilën do ta gëzojnë qytetarët, e do të bëjmë edhe reformat e nevojshme që do të na sjellin drejt integrimeve euroatlantike. Vuçiqi do të tentojë me përpjekjet destabilizuese, por do të dështojë”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani u shpreh se edhe dikur Millosheviçi konsiderohej dikur njeri i paqes, ashtu sikurse edhe Vuçiç konsiderohet sot, gjë që është mjaft problematike.

“Në vitet 90’ shumë e kishin konsideruar Millosheviçin si njeri të paqes, por sa më tepër që shihej i tillë, ai inkurajohej gjithmonë e më shumë dhe kreu krime që çoi në vrasjen e mbi 150 mijë civilëve në luftëra të ish-Jugosllavisë. Kështu, që sa më shumë që Vuçiqi konsiderohet ‘paqësor’ dhe sa më gjatë që Serbia nuk merr udhëzime të qarta për veprimet dhe sanksione ndërkombëtare, do të inkurajohet gjithnjë e më tepër për të ushtruar dhunë ndaj fqinjëve të saj. Fatkeqësisht, mendësia që e shtyn Vuçiqin është ajo e viteve nëntëdhjeta. Nuk e shoh atë si person që ndryshon në mënyrë pozitive. Sa më pak që i beson komuniteti ndërkombëtar, aq më të mëdha janë shanset që Serbia të mos ndjekë më rrugën e Moskës dhe të fillojë ta ndjekë rrugën evropiane. Nga ana tjetër, Serbia ka nënshkruar gati 40 marrëveshje të Brukselit, e shumica e tyre nuk zbatohen, gjë që tregon se sa e mban fjalën Serbia. Prandaj, nga Serbia nuk është e nevojshme të marrësh vetëm një nënshkrim, por duhet të punosh me vite dhe të bësh presion mbi të që ta detyrosh të zbatojë ato që ka nënshkruar”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog, por është Serbia që nuk dëshiron të nënshkruajë marrëveshjet e përcjella nga ndërkombëtarët.

“Deri tash ka munguar konstruktiviteti i palës serbe dhe kjo është arsyeja pse procesi po zvarritet me vite. Negociatat mes Kosovës e Serbisë kanë nisur në vitin 2011. Kur është fjala për Kosovën, ka një konsensus se ku janë vija të kuqe që ne nuk do t’i kalonim në negociata me asnjë çmim, pavarësisht se kush është në Qeveri apo opozitë. Është vendosur që nuk do të ketë negociata sa i përket pavarësisë e sovranitetit të Kosovës. Duke pasur parasysh këto parime, dialogu është dypalësh ndërmjet dy shteteve sovrane dhe ne besojmë se për të pasur sukses, duhet të arrijmë një paqe të qëndrueshme, e njohja reciproke është rruga e vetme. Fatkeqësisht pa njohje të ndërsjellë nuk ka as paqe e as stabilitet.V eprimet tona janë konstruktive, por nuk shpresojmë se Serbia do të ndryshojë qëndrimin e sajë dhe mënyrën se si i qaset kësaj, pasi për tash vendos vetëm pengesa në të gjithë procesin”, ka thënë Osmani.

Osmani është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve, një retorikë sipas saj e dhënë nga ish presidenti Thaçi.

“Nuk shkëmbehet territori me dikë që ka bërë gjenocid ndaj popullit tënd, do të ishte njësosh si dikush t’i thoshte Zelenskyt se ai duhet t’i japë territor të vetin Rusisë, dhe kjo do të ishte logjika e shpërblimit të kriminelëve. Për më tepër, është e rrezikshme dhe precedent që do ta hapte Kutinë e Pandorës dhe nuk do të përfundonte vetëm me Kosovën e Serbinë. Siç e dini, në Ballkanin Perëndimor, shohim ndarjet etnike, dhe është një lojë pa fund, që nuk do të përfundonte paqësisht, por do të kalonte edhe përtej Ballkanit Perëndimor. Kështu që, nuk është rruga para, besoj se zgjidhjet që çojnë në ndarje të territorit i përkasin shekullit XIX. Ne duhet të kërkojmë ide të shekullit XXI, sepse jeta multietnike është e mundur, është e mundur jetesa në harmoni e njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike e fetare. Multietniciteti është gurthemeli i shoqërisë sonë. Unë nuk jam për ndarje, por për integrim. Ideja për shkëmbim ishte gabim jo vetëm për Kosovën, por edhe gjithë rajonin. Presidenti Ibrahim Rugova e hodhi poshtë këtë ide në të nëntëdhjetat derisa ne ishim nën okupimin e Millosheviqit. Sepse Kosova është shtet sovran, me integritet dhe e tillë do të mbetet. Nuk do t’ia japim territorin tonë Serbisë për shkak të krimeve që ajo ka kryer mbi qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.

Sa i përket Asociacionit ajo ka thënë se Kushtetuta e Kosovës e ka rrëzuar, e ka thënë se nuk duhet bërë Asociacion njëetnik e as një me kompetenca ekzekutive.

“Kushtetuta jonë nuk lejon krijimin e një qeveria ndërmjetëse e cila u iniciua në vitin 2015 me dokumentin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe për shkak të kësaj ky dokument nuk ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetutese të Kosovës. Ai dokument nuk ka hyrë në fuqi , pasi nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetutese, si e tillë nuk është dashur të zbatohet apo nënshkruhet në Bruksel. Për më tepër, sistemi ynë kushtetuese, plani i Ahtisaarit, ligji për pushtetin lokal si dhe vendimi i Kushtetueses në Kosovë deklaruan vijat e kuqe si dhe parimet të cilat mund të përdoren nëse komunat dëshirojnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Pozicioni im është i qartë, jo vetëm tash si presidente, por edhe që nga viti 2013, kur u iniciua kjo temë në Parlament, se askush nuk është kundër bashkëveprimeve mes komunave, por duhet shkuar sipas parimeve të Kushtetutës së Kosovës, e cila ndër të tjera kërkon edhe multietnicitet. Dhe se ai Asociacion është e nevojshme të mos ketë asnjë pushtet ekzekutiv dhe se nuk mund të krijojë një forcë apo enitet ndërmjetës mes administratës lokale dhe qendrore. Kemi të bëjmë me fqinj si Serbia që do t’i keqpërdorë pakicat. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm në atë që sugjerohet, sepse për ne, ajo nuk është thjeshtë copë letre, por ka të bëjë me të ardhmen e jetëve tona. Ne duhet të jetojmë me këtë, e jo vetëm të mbyllim mandatet e shkojmë diku tjetër. Gjithçka që ne nënshkruajmë duhet të jetë në kontekstin e së ardhmes dhe që brezat e ardhshme të jetojnë më mirë”, tha Osmani.

Sa i përket zgjedhjeve në komunat e Mitrovicës së Veriut më 23 prill, Osmani ka thënë se po bëhen përgatitjet dhe se është e bindur se do të mbahen sipas planit.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 07/02/2023 10:59

    PO ç'eshte kjo dukuri, qe kur e kur dialogohet me serbine, dhe kuren e kurres,as nga faktori vendor e as nga ai nderkombetar, nuk permenden krimet serbe te 1877-78, kur serbija deboi dhunshem dhe zbrazi nga shqiptaret,ose kreu gjenocid klasik, ne 714 fshatra e gjashte qytete shqiptare,Ku vrau 70 mije shqiptare dhe deboi nga vatrat e tyer 35o mije te tjere.Keto sikur nuk kane ndodhur kurre,nuk thuhen e nuk permenden.Por, kerkohet, si nga serbija ashtu edhe faktori nderkombetar, ende te leshohen hapesira shqiptare te tjera dhe te krijohen dofare zajednica,kisha serbe e ♪5ka nuk kujtohet as djalli per ketom hapesira shqiptare dhe shqiptaret,te cilet nga viktima,jane shenderrua ne kriminel.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet