Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme për pezullimin e dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Ky vendim vjen pas ankimimit të kryeministrit Albin Kurti në Gjykatën Kushtetuese, i cili kërkonte shpalljen të pavlefshëm të dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44, 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 9 mars 2026, njëzëri VENDOS I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata urdhëroi, në pikën e dytë të vendimit, që masa e përkohshme “hyn në fuqi më 9 mars 2026, me kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.
Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pasi Presidenti i ri nuk u zgjodh deri në fund të ditës së enjte, më 5 mars, pas shkak të mos dakordësisë mes palëve dhe mos-arritjes së numrit të duhur të deputetëve për ta votuar.
Për të lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për masë të përkohshme klikoni këtu: https://api.webgjk-ks.org/.../08d1ae9e-1008-4d89-b7b0...
Komente











