Vijon të jetë dramatike situata në Qarkun e Vlorës, për shkak të motit të keq me reshje masive shiu, që përfshiu vendin dy ditët e kaluara.

Lumi Vjosa është kthyer edhe këtë radhë në makth për shumë banorë të fshatrave Fitore e Novoselë. Lumi ka dalë nga shtrati, duke përmbytur këto zona, ndërsa uji vijon të vërshojë edhe sot, duke rrezikuar edhe fshatin Bishan.

Të gjitha rrugët janë të bllokuara dhe shumë banorë vijojnë të jenë nën pushtetin e ujit. Prezenca e ujit në banesa arrin në 1.5 metra në fshatin Fitore, ndërsa gjatë mbrëmjes së kaluar FA ka evakuuar 80 familje.

Përmirësohet situata në Fier, tërhiqet Vjosa
Dalja e lumit Vjosa nga shtrati krijoi një situatë dramatike edhe në Qarkun e Fierit, ku shumë fshatra ishin dje nën pushtetin e ujit. Por ditën e sotme situata paraqitet më e qetë dhe ka një rënie të nivelit të ujit rreth 200 metra nga rruga kryesore Levan-Ferras.

Deri tani janë përmbytur 70 banesa në fshatrat Kashisht, Cerven. Ndërsa në Ferras janë përmbytur 2500 ha tokë bujqësore. Shumë kabina elektrike janë stakuar për shkak të nivelit të ujit, ndërsa në Qarr është përmbytur një nënstacion elektrik 35 kw. 

 

"Miremengjes! Situata sot eshte e permiresuar. Ka renie te nivelit te ujit ne gjithe pellgun Levan - Ura e Mifoli- Novosele. FA prezente me 150 efektive ne terren si ne Levan, Ferras, Novosele. Nje kontigjent i FA dhe dy pompa thithese uji jane nisur per ne fshatin Darezeze, pasi ketu pritet te kete grumbullim te ujit gjate dites se sotme. Ne Novosele mengjesin e sotem eshte bere evakuim i dy banoreve te cilet kane kerkuar ndihme",thuhet në njoftimin e MM.

[gallery]25498[/gallery]
Ndërkohë, sot është parashikuar një ditë e kthjellët dhe pa reshje shiu, prej ku pritet dhe një tërheqje e Vjosës dhe rikthimi i lumit në shtrat.


[gallery]25497[/gallery]
 

d.c./shqiptarja.com