Këshilli i Ministrave ka vendosur të ngarkojë Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) si organ qendror blerës për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të kampusit universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave sot, efektet financiare të vendimit arrijnë në vlerën 23 665 000 lekë, të cilat do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2025. Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Arsimit, AKPT dhe vetë universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Ky hap synon të avancojë zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës universitare në Durrës, duke krijuar kushte më të mira për studentët dhe stafit akademik. Kampusi i universitetit të Durrësit pritet të vijojë me një kompleks rezidencial për akomodimin e studentëve që vijnë nga rrethet e tjera. Në të dyja anët e kampusit në Durrës, ka investime për sportin si akademia e “Manchester City” dhe akademia e tenisit e ‘Rafa Nadal’.  Zona do të ofrojë shërbime jo vetëm arsimore, por edhe edukative dhe sportive që i shërben studentëve dhe komunitetit.

Vendimi i plotë:

V E N D I M  PËR NGARKIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT  TË TERRITORIT, SI ORGAN QENDROR BLERËS, PËR REALIZIMIN E KONKURSIT TË PROJEKTIMIT PËR PROJEKTIDETË  E ZHVILLIMIT TË KAMPUSIT UNIVERSITAR “ALEKSANDËR MOISIU” DURRËS.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të    ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Ngarkimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, si organ qendror blerës, për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të kampusit universitar “Aleksandër Moisiu” Durrës.

2. Efektet financiare prej 23 665 000 (njëzet e tre milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekësh përballohen nga buxheti i Ministrisë së Arsimit, miratuar për vitin 2025.

3. Ngarkohen Ministria  e  Arsimit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.