Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike eolike në njësinë administrative Mollaj, Bashkia Korçë.

Projekti do të realizohet nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, “FAVINA” dhe “FAVINA 1” dhe nuk është objekt koncesioni, si dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

Sipas vendimit të qeverisë, centrali eolik do të ketë një kapacitet të instaluar prej 55 MW, me një tolerancë deri në 5% më pak, në varësi të projektit përfundimtar të zbatimit. Afati për ndërtimin, pajisjen me leje ndërtimi dhe vënien në operim të impiantit është 48 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit.

Centrali do të operojë për një periudhë 49-vjeçare dhe do të ndërtohet në territorin e njësisë administrative Mollaj, në Qarkun e Korçës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike çdo tre muaj gjatë ndërtimit dhe operimit të impiantit, për të garantuar përputhshmërinë me projektin dhe standardet teknike.

Sipas VKM, bashkimi i përkohshëm i shoqërive është i detyruar të krijojë një shoqëri për qëllime të veçanta pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, e cila do të merret me ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik. Po ashtu, investitori duhet të dorëzojë një sigurim kontrate në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit.

Vendimi i plotë:

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE MOLLAJ, BASHKIA KORÇË, QARKU KORÇË, NGA BASHKIMI I PËRKOHSHËM I SHOQËRIVE “ALBPOËER”, SH.P.K., “FAVINA”, SH.P.K., DHE “FAVINA 1”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në njësinë administrative Mollaj, Bashkia Korçë, Qarku Korçë, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k.;

b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: “ALBPOWER”, sh.p.k.: M23904001G; “FAVINA”, sh.p.k.: J64104078V dhe “FAVINA 1”, sh.p.k.: K54624001I;

c) Tipi i centralit: Eolik;

ç) Kapaciteti i instaluar: 55 MW me kapacitet tolerance deri në 5% më pak e këtij kapaciteti, bazuar në projektin përfundimtar të zbatimit;

d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit eolik do të jetë brenda 48 (dyzet e tetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Njësia administrative Mollaj, Bashkia Korçë, Qarku Korçë;

e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1 bashkëlidhur këtij vendimi;

f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e dokumentacionin e projektit;

g) Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., duhet të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k.,, “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., si dhe shoqëria për qëllime të veçanta do të jenë bashkërisht përgjegjëse për detyrimet sipas këtij miratimi dhe kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë;

gj) Shoqëria për qëllime të veçanta solidarisht me bashkimin e përkohshëm të shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj), pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;

ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;

iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet bashkimit të përkohshëm të shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA” sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;

iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;

v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.