Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në vendimin për zonën e zhvillimit në njësinë administrative nr. 6, në zonën e Kombinatit në Tiranë, duke i dhënë edhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) rolin e njësisë zbatuese për projektet e reja të rindërtimit.
Sipas vendimit, ndryshohet akti i vitit 2020, i cili deri më tani caktonte vetëm Bashkinë Tiranë si njësi zbatuese. Me ndryshimet e reja, Bashkia Tiranë do të vijojë të zbatojë projektet e rindërtimit që janë nisur ose janë në proces, ndërsa FSHZH do të jetë përgjegjës për projektet e reja.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të ketë në përgjegjësi ndërtimin e banesave të reja dhe të ndërtesave publike të dëmtuara, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike, realizimin e ndërtimeve në zonë, si edhe çdo ndërhyrje tjetër që lidhet me procesin e rindërtimit.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare.
Vendimi i plotë
V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.80, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NJËSIA ADMINISTRATIVE 6, ZONA KOMBINAT, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, e 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.80, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, njësia administrative 6, zona Kombinat, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, njësia administrative 6, zona Kombinat, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë Tiranë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese.”.
b) Në pikën 2, fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese për zbatimin e projekteve të nisura e në vijim, në kuadër të procesit të rindërtimit, për: …”.
c) Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për zbatimin e projekteve të reja, në kuadër të procesit të rindërtimit, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike;
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër, në funksion të rindërtimit të kësaj zone.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.










Komente
Komento