Qeveria ka miratuar të premten shtesa dhe ndryshime në dy vendime që prekin drejtpërdrejt pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në misionet jashtë vendit, duke rritur numrin e personelit dhe duke përditësuar disa rregulla të angazhimit.
Vendimi i parë lidhet me ndryshimet në VKM nr.45, datë 22.1.2025, për misionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut. Sipas këtij vendimi, numri i ushtarëve shqiptarë rritet nga 8 në 12, ndërsa kohëzgjatja e misionit është deri më 28 shkurt 2027.
Ndërkohë, vendimi i dytë prek VKM nr.145, datë 20.2.2013, për misionin “EUFOR/Althea” në Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë rast, përveç personelit ushtarak, në shtabin e EUFOR-it do të shtohet edhe një përfaqësues nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
Po ashtu, ndryshohet edhe rregulli për kohëzgjatjen e rotacioneve, që tashmë përcaktohet “deri në 6 muaj”, duke dhënë më shumë fleksibilitet në organizimin e misioneve.
Të dyja vendimet parashikojnë që shpenzimet të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe hyjnë në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi për misionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut.
V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.45, DATË 22.1.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK “INTERFLEX” NË MBRETËRINË E BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.45, datë 22.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut”, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, togfjalëshi “… 8 (tetë) ushtarakëve …” zëvendësohet me“… 12 (dymbëdhjetë) ushtarakëve …”;
b) Në pikën 4, fjalët “Kohëzgjatja e këtij misioni është 1 vit …” zëvendësohen me “Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 28.2.2027 …”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi për misionin “EUFOR/Althea” në Bosnjë-Hercegovinë
V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.145, DATË 20.2.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ME PËRFAQËSUES NË SHTABIN “EUFOR”, NË KUADËR TË OPERACIONIT USHTARAK “ALTHEA”, TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË BOSNJË-HERCEGOVINË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.145, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me përfaqësues në shtabin “EUFOR”, në kuadër të operacionit ushtarak “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian, në Bosnjë-Hercegovinë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pas shkronjës “b”, të pikës 1, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) të 1 (një) përfaqësuesi të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në shtabin “EUFOR.”.
b) Në pikën 3, fjalët “Kohëzgjatja për çdo rotacion është 6 (gjashtë) muaj …” zëvendësohen me “Kohëzgjatja për çdo rotacion është deri në 6 (gjashtë) muaj …”;
c) Në pikën 4, fjalët “… përfaqësuesit ushtarak …” zëvendësohen me fjalën “… personelin …”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Komente











