Ai mund të jetë edhe përfituesi i madh i luftës së Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu kundër Iranit, por Vladimir Putin po rikthehet t’u kërkojë para oligarkëve rusë. Edhe pse shpërthimi i çmimeve të energjisë po i siguron një fitim të papritur dhe të bollshëm — që vjen nga gazi, nafta dhe plehrat kimike — kreu i Kremlinit u ka kërkuar multimiliarderëve të vendit të tij të bëjnë donacione për buxhetin federal, në mënyrë që të vazhdojë luftën në Ukrainë dhe të rrisë presionin ushtarak ndaj Kievit.

Kjo ndodhi të enjten e kaluar, gjatë një takimi me dyer të mbyllura me një grup të madh sipërmarrësish, ku Putin u tha qartë se synon ta vazhdojë luftën deri në fitore, pavarësisht vështirësive në rritje për ta financuar atë. Lajmi, i publikuar nga media e pavarur ruse The Bell dhe nga Financial Times, u përgënjeshtrua vetëm pjesërisht nga zëdhënësi i Kremlinit, sipas të cilit nuk ishte Putin ai që kërkoi para, por vetë oligarkët që u ofruan. Me fjalë të tjera, pak rëndësi ka: rezultati është i njëjtë.

Sipas tre burimeve anonime të cituara nga gazeta britanike, “Cari” ka thënë se ushtria ruse do të luftojë derisa të marrë të gjithë rajonin e Donbasit, të cilin sot e kontrollon vetëm pjesërisht dhe që ukrainasit refuzojnë ta dorëzojnë. Hipoteza e një tërheqjeje, sipas Putinit, do të ishte pjesë e një kompromisi të propozuar nga ndërmjetës amerikanë, me krijimin e një zone të çmilitarizuar ose një zone ekonomike speciale të menaxhuar nga SHBA-të, të cilën presidenti rus ishte gati ta pranonte, por që Volodymyr Zelensky e refuzoi.

Nuk është hera e parë që Putin përpiqet t’i “shtrydhë” të pasurit rusë. Por është hera e parë që u drejtohet personalisht dhe drejtpërdrejt për të kërkuar kontribute vullnetare. Në janar, Kremlini rriti TVSH-në nga 20% në 22% për bizneset e vogla dhe të mesme, me synimin për të mbledhur 600 miliardë rubla (rreth 7.4 miliardë dollarë) në tre vjet. Gjithashtu, në vitin 2023, një taksë e njëhershme prej 10% mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të mëdha i solli shtetit rus gati 4 miliardë dollarë. Për më tepër, nëse rubla vazhdon të dobësohet, ministri i Ekonomisë, Maxim Reshetnikov, duket i prirur të vendosë këtë vit një taksë të re të ngjashme.

Por kostoja e luftës tashmë është jashtë kontrollit. Në më shumë se katër vite, e ashtuquajtura “operacion special” ka përpirë mbi 500 miliardë dollarë në shpenzime direkte, ndërsa aktualisht kostoja ditore e saj është mbi 500 milionë dollarë. Në buxhetin paraprak për vitin 2026, Rusia ka parashikuar 217 miliardë dollarë për mbrojtjen, që përbën 38% të totalit të shpenzimeve publike.

Parashikimet financiare bazoheshin në një çmim të naftës prej 59 dollarësh për fuçi. Deri në sulmin e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, me çmimin e naftës rreth 40 dollarë, qeveria ruse kishte parashikuar shkurtime në shpenzimet sociale, pensione dhe taksa të reja. Vetëm në dy muajt e parë të vitit, janar dhe shkurt, deficiti buxhetor kishte arritur në 90% të atij të planifikuar për gjithë vitin.

Por tani, me Lindjen e Mesme në flakë, situata ka ndryshuar rrënjësisht dhe rritja e çmimeve të energjisë (me naftën që ka arritur deri në 120 dollarë për fuçi dhe tani mbetet pak nën 100) i sjell Kremlinit një përfitim shtesë prej rreth 200 milionë dollarësh në ditë.

Megjithatë, pasiguria e madhe rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme e shtyn Putinin të jetë i kujdesshëm. Ky përfitim energjetik mund të mos zgjasë shumë, ose të paktën jo aq sa për të zgjidhur problemet financiare strukturore të Rusisë.

Për këtë arsye, në stilin e tij karakteristik, Putin u bën oligarkëve një ofertë që vështirë se mund ta refuzojnë. Sipas burimeve, të paktën dy prej tyre janë shprehur menjëherë të gatshëm të kontribuojnë. Një tjetër, Suleiman Kerimov, thuhet se ka ofruar të dhurojë 1 miliard dollarë. Edhe magnati i metaleve Oleg Deripaska është shprehur i gatshëm të kontribuojë për këtë qëllim.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka mohuar që Putin të ketë bërë një kërkesë të tillë, edhe pse pranoi se gjatë takimit është diskutuar për donacione “të mëdha”. Por, sipas tij, gjithçka ka ardhur me iniciativën e vetë biznesmenëve. Që “Cari” të mos duket si një lypës./ Corriere della Sera