Gjatë prezantimit të një sondazhi nga Shoqata e Investitorëve të Huaj, Ambasadorja e BE së në Tiranë, Romana Vlahutin, është shprehur se shqiptarët, ashtu si biznesi i huaj, nuk kanë besim te sistemi gjyqësor në vend.

Vlahutin tha se kjo situatë duhet të ndryshojë, dhe se reforma në gjyqësor do të përkthehet në ulje të korrupsionit, por edhe rritje të ekonomisë. 

"Është interesante që numri i investitorëve të huaj që e shohin gjyqësorin si një pengesë serioze është rritur me 12% brenda një viti. Kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Mund të jetë rezultat i shtimit të debatit publik mbi reformën, si dhe e faktit që njerëzit ndihen më të lirë të shprehin atë që mendojnë. Por një gjë është e qartë për të gjithë që ndodhen në këtë sallë apo që na ndjekin: kjo situatë duhet të ndryshojë. Dhe po ndryshon. tashmë dini që procesi i vetingut ka nisur zyrtarisht. Kjo do të thotë se po nisim të ndjejmë efektet e para të reformës në drejtësi", u shpreh Vlahutin duke theksuar se duke kaluar në filtër sistemi gjyqësor do të jetë më i paanshëm dhe profesional. 

Sipas rezultateve të sondazhit, gjykatat cilësohen si pengesa më e madhe për biznesin e huaj në Shqipëri. Korrupsioni gjithashtu është renditur si pjesa më problematike me të cilën ndeshet biznesi.

64% e bizneseve të pytura kanë thënë se klima e biznesit në Shqipëri është e pafavorshme, ndërsa 70% e tyre janë shprehur kundër anëtarësimit të detyrueshëm në Dhomën e Tregtisë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com