TIRANË, 19 nëntor/ATSH-Z.Tosku/ -25 vjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, ka mbledhur sot pasdite në Qëndrën e Informimit të Bashkimit Evropian, ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, shefën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, shefen e misionit të UNICEF në Shqipëri, Antonella Scolamiero dhe Drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Ina Verzivolli, për të bashkëbiseduar me një grup të rinjsh mbi cështjet e mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri dhe shqetësimin e tyre kundrejt zbatimit të Konventës.
"Që e ardhmja të jetë e sigurt dhe konform asaj që ju dëshironi, ne duhet të punojmë fort sepse sot është e tashmja juaj. Tashmë unë jam në një detyrë të rëndësishme për t'ju siguruar juve gjithëpërfshirje, me mirërritje, mirëshkollimin tuaj, me respektin, mbrojtjen tuaj nga diskriminimi, duke promovuar vlera të vërteta që janë vlera të mbrojtjes të të drejtave tuaja. Ne jemi këtu për të dëgjuar zërin tuaj dhe duke ju dhënë llogari për cdo pyetje tuajën dhe problem që ju paraqisni", u shpreh ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Nga ana tjetër, Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, tha se "mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve është një prioritet për Bashkimin Evropian. Të gjitha politikat duhet të ndërtohen mbi interesin më të mirë për fëmijët".
Ndërsa për Antonella Scalamiero, "25 vjetori i Konventës është I rëndësishëm, pasi misioni ynë është që të mos lihet asnjë fëmijë mënjanë. Realizimi i të drejtave të të gjithë fëmijëve kërkon zgjidhje dhe ide të reja dhe nëpërmjet inovacionit. Inovacioni mund të vijë në shumë mënyra, edhe kjo formë diskutimi është një prej saj".
Takimi i sotem nepermjet bashkebisedimit u perpoq te jepte pergjigje shqetesimit te te rinjve kundrejt te drejtave dhe zbatimit te tyre ne Shqiperi. /a.ke/