Çfarë do të thotë niveli B1 i vlerësimit për një vend të botës?
Për investitorët e huaj të kapitalit, faktori më domethënës në vendimmarrjen për huazim ndaj qeverive të vendeve sovrane është siguria për kthyeshmerinë e investimit, pra risku. Agjenci ndërkombëtare, si Moody's, bëjnë klasifikimin e vendeve konkurente për përfitimin e këtij kapitali në bazë të riskut të investimit. Me Aaa shënohet optimumi dhe me C konsiderohen qeveritë pothuajse të paafta për të kthyer investimin, pra të falimentuara. Niveli B tregon se detyrimet konsiderohen spekulative dhe nënkuptojnë një nivel të lartë risku të kredisë. Pra, qeveritë e vendeve si Shqipëria konsiderohen nga agjencia Moody's si institucione jopremtuese për kthyeshmerinë e investimeve. Shqipëria duhet të bëjë shumë përpjekje që ta kalojë këtë zonë dhe të arrijë vendet e tjera, sepse ne lemë pas nga rajoni vetëm Bosnjen, po t'i referohemi kategorizimit të bërë nga agjencia Moody's. Serbia, Maqedonia dhe Kosova nuk renditen nga Moody's, ndërkohë që Greqia momentalisht përbën një "dele të zezë" në rang global.
Cilat vende kanë këtë nivel në rajon, në Evropë?
Moody's për 2012-ën nuk i jep vendi tjetër në Evrope vlerësimin B1, veç Shqipërise. Vlerësime më të ulëta jep për Bosnjen dhe Ukrainën me B2 dhe më pas vijnë Moldavia dhe Bjellorusia me B3. Në rang botëror, në nivelin B1 ndodhen vende si Bolivia, Mongolia, Paraguaj, Republika Domenikane etj. Qeveritë e vendeve të renditen si më poshtë: Rumania dhe Kroacia Baa3, Bullgaria Baa2, Mali i Zi Ba3, Shqipëria B1 dhe Bosnja B2.
Mosndryshimi i vlerësimit prej disa vitesh është pozitiv apo negative?
Meqenëse Shqipëria ka rreth tre vjet që ka fituar të drejtën të huazojë drejtpërsëdrejti nga tregjet e kapitalit, vështirë të bëhet një vlerësim kohor për këtë tregues. Trevjeçari ka përkuar me përkeqësimin e një serë zhvillimesh në vend dhe ka ulur potencialin e Shqipërisë si vend thithës kapitalesh. Fjala është për kufirin e lartë të borxhit publik apo tavanin e deficitit buxhetor që kufizon intensitetin e investimeve kapitale, të cilët e përkufizojnë Shqipërinë si një aktor tejet marxhinal në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Sa ndikon vlerësimi i Moody's tek investitorët e huaj?
Vlerësimi i Moody's ka të bëjë me aftësinë e qeverisë për të rikthyer kapitalin. Ky vlen edhe si një stacion metereologjik për klimën e përgjithshme të investimeve në vend. Në këtë aspekt, janë më shumë për t'u vlerësuar paragrafet analitike që shoqërojne B1-shin, ku shprehet qartë nevoja për progresë në adresimin strukturor të sfidave të ekonomisë shqiptare, veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit dhe në rritjen e efikasitetit të institucioneve të së drejtes. Renditen si çështje delikate dështimi i reformave ekonomike e institucionale, veçanërisht konsolidimi fiskal. Pra, mezi e kemi kaluar klasën tre vjet më parë dhe s'po duket progres. Mbetet për t'u parë se ç'"notë" do të na venë tregjet në "provimin" e radhës, në emetimin e ardhshem të eurobonove.
(shqiptarja.com)