Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilëson miratimin e raportit 2025 për Shqipërinë nga Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian si një vlerësim të qartë dhe të padiskutueshëm për progresin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha thotë se rezoluta konfirmon përparimin e qëndrueshëm, angazhimin e palëkundur në reforma dhe faktin që Shqipëria renditet ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit, me ritëm të qëndrueshëm në negociata dhe hapjen e kapitujve.

Ai theksoi se dokumenti vlerëson edhe ambicien për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe rolin e Shqipërisë si partner i besueshëm në politikën e jashtme të BE-së. Ndërkohë, Hoxha pranoi se ka ende fusha ku duhen përpjekje të mëtejshme, por i konsideroi  ato pjesë normale të procesit, duke theksuar se vendi do të vijojë reformat për të sjellë rezultate konkrete për qytetarët dhe për të çuar përpara integrimin europian.

Postimi i plotë i Ministrit Ferit Hoxha 

"Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian, miratoi sot, me 58 vota pro, tekstin e Rezolutës mbi Raportin e #Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025.Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e  mirëpret këtë zhvillim të rëndësishëm, i cili përbën një vlerësim të qartë dhe të padiskutueshëm të përparimit të qëndrueshëm dhe të angazhimit të palëkundur të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rezoluta përforcon gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian, duke ofruar një pasqyrë të plotë, objektive dhe të balancuar mbi ecurinë e procesit të negociatave, thellësinë e reformave të ndërmarra dhe përputhjen e qëndrueshme të politikës sonë të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe me rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Ashtu si në dokumentet më të fundit të institucioneve evropiane, Shqipëria vlerësohet si një ndër vendet pararojë në procesin e zgjerimit. Theksohen përkushtimi ynë i qëndrueshëm, konsensusi i gjerë politik për integrimin evropian dhe mbështetja e fortë e qytetarëve për këtë proces. Hapja e të gjithë grup-kapitujve dhe ecuria e rregullt e procesit të #negociatave mbeten dëshmi konkrete e ritmit të reformave dhe e besueshmërisë së progresit të arritur.

Rezoluta vlerëson gjithashtu ambicien e #Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027, duke reflektuar një mirëkuptim të përbashkët se vendi ynë ka hyrë në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit. Rezoluta identifikon natyrshëm edhe fusha dhe aspekte ku kërkohen përpjekje të mëtejshme, të cilat janë pjesë e vetë procesit të zhvillimit të vendit dhe procesit të negociatave. Shqipëria i sheh këto si pjesë të një dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me institucionet evropiane, që ndihmon në orientimin dhe konsolidimin e reformave gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet dhe angazhimet e ndërmarra.

Një vlerësim i veçantë i jepet përafrimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke konfirmuar rolin tonë si një partner i besueshëm dhe kontribues aktiv në çështje strategjike evropiane dhe globale. Rezoluta njeh gjithashtu kontributin e Shqipërisë për stabilitetin rajonal dhe angazhimin në iniciativa të rëndësishme të BE-së, si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili do të përshpejtojë më tej konvergjencën ekonomike me Bashkimin Evropian.

Në tërësi, kjo rezolutë konfirmon se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe se procesi i zgjerimit po prodhon rezultate konkrete. Qasja jonë mbetet e pandryshuar: të vijojmë me vendosmëri reformat, të adresojmë sfidat e mbetura dhe të ruajmë ritmin e lartë të progresit, duke sjellë rezultate të prekshme për qytetarët tanë dhe duke avancuar drejt qëllimit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, si dhe për anëtarët e AFET dhe të gjithë eurodeputetët, për mbështetjen e vazhdueshme, angazhimin dhe kontributin e tyre në avancimin e reformave dhe në rrugëtimin evropian të Shqipërisë."


Lajmi kryesor:

Integrimi në BE, Komisioni i Jashtëm i PE miraton raportin e vitit 2025 për Shqipërinë! Schieder: Reformat të reflektohen në jetën e qytetarëve