Pas deklaratës ku përgëzoi autorin e plagosjes së punonjësit të IMT-së, mbështetësja e Sali Berishës, Adriana Kalaja është vënë nën hetim nga Policia e Tiranës. Avokatja do të hetohet nga prokuroria për veprën penale të thirrjes për urrejtje nacionale dhe rrezikon nga 2 deri në 8 vite burg. Hetimi ndaj saj ka nisur pas statusit në ‘Facebook’, e cila pasi Qani Muça plagosi me armë zjarri punonjësin e IMT-së për prishjen e banesës, e përgëzoi me shprehjen popullore ‘të lumtë pushka’.

‘Nëse do kishim vepruar të gjithë që nga 2013  ashtu siç veproi Qani Muça,  banditët  nuk do ishin bërë miliardere e më pas të blinin votën, shoqërinë civile, pluraluzmin dhe demokracinë. Nëse ti nuk mbron dot shtëpinë dhe familjen tënde, nuk mund të mbrosh mikun, shokun,  fqinjin, bashkëpunëtorin, qytetin  dhe vendin tënd. Respekt dhe vlerësim për Qani Mucën. Të lumtë pushka - thotë populli.’- shkroi Kalaja.

Në një intervistë për mediat, Kalaja ka thënë se ka dashur të thoshte dicka tjetër dhe fjalët e saj janë keqinterpretuar. "Kam thënë që veprimi është i dhunshëm, por funskionarët zyrtarët që nuk zbatojnë ligjin poi  cojnë njerëzit drejt kësaj vëllavrasje", tha Kalaja.

Edhe Rithemelimi nuk mund ta linte mbështetësen e tyre vetëm, e kështu përmes një deklarate për mediat e kanë marrë në mbrojtje Kalanë. Sekretarja e Marrëdhënieve Publike, Jola Hysaj tha se PD dënon thirrjen në polici të avokates, ndërsa sipas saj fraza e përdorur nga Kalaja është keqpërdorur, pasi ka qenë thjesht një metaforë dhe jo thirrje për dhunë. Sipas saj, thirrja në polici është një veprim i nxitur nga politika për të hequr vëmnejdne nga prishja e banesave.

“Partia Demokratike dënon thirrjen në polici të avokates Adriana Kalaja. E konsiderojmë një akt të qartë politik pa asnjë bazë ligjore dhe si përpjekje për të shmangur vëmendjen nga thelbi i ngjarjes dhe aksioni opozitar, i dalë nga apatia dhe shitblerja. Deklarata e zonjës Kalaja si avokate dhe aktiviste e shumë kauzave publike është nxjerrë qëllimisht jashtë kontekstit me synim krijimin e një ngjarjeje të re në ndihmë të makinës së vjetër të propagandës qeveritare.

Ne besojmë  megjithatë se fraza e zonjës Kalaja ka qenë përdorim metafore, një shprehje popullore aq të njohur, dhe është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes fatkeqe, se sa një thirrje apo ushtrim dhune. Ushtruesit e dhunës nuk duhen kërkuar te zonjat e opozitës, por te fabrikuesit e përditshëm të saj, lart në majën e pushtetit. Riedukimi, si i gazetarëve, ashtu dhe aktivistëve, nuk është një opsion i opozitës, por i pushtetit. Dhuna gjithashtu nuk është opsion i opozitës, por obsesion i Edi Ramës dhe ndjekësve të tij”, tha ajo.

Kujtojmë se Qani Muça, 52-vjeç plagosi me armë zjarri inspektorin e IMT-së pasditen e së premtes pasi i shembën shtëpinë, ai ka qenë i dënuar në vitin 2017 për dhunë në familje. Muça shkaktoi panik në kryqëzimin e rrugëve “Todi Shkurti” me rrugën “Kristaq Capo” pasi mori armën e zjarrit dhe qëlloi inspektorin me plumb në bark. Qani Muça, i cili plagosi inspektorin e IMT-së Ilirjan Gavelli pasi ky mori vendimin për t’i shembur banesën, ka qenë në gjendje të dehur gjatë aktit të kryer.