SHKODËR - Vllaznia dhe Partizani do përballen të shtunën në orën 16:30 në "Loro Boriçi" për raundin e 21-të të Superligës. Në Shkodër kanë uri për fitore duke kërkuar kreun e klasifikimit, ndërsa për mediet foli sulmuesi i Vllaznisë, Charles Bismark.

24-vjeçari nga Gana është i huazuar te Vllaznia nga Skënderbeu dhe pritshmëritë për të kanë qenë të mëdha, por sulmuesi ka pësuar disa lëndime dhe në dhjetë takime ka shënuar një gol.

Bismark tregon se është në vendin e duhur dhe ka besim se ky do jetë viti i duhur për Vllazninë që të shkojë drejt titullit kampion.

“Forma juaj? Po, besoj që jam gati për nesër. Jam mjaft i fokusuar, kam premtuar që do të shënoj 20 gola në sezon, por fatkeqësisht kam pasur disa dëmtime, por tani fokusi im është të shënoj këto gola. Tani jemi më të motivuar dhe po kthehemi në formën e mëparshme, të vazhdojmë në këtë rrugë.

Si ndiheni në Shkodër? Ndihem mjaft mirë në Shkodër, çdo gjë është shumë mirë. Jam duke u kthyer në formën time më të mirë që isha më përpara, nuk është se kam luajtur mjaftueshëm, por do të marr më shumë minuta për t'u rikthyer si më parë. Ky sezon është më i fortë se vitin e shkuar.

Jam i lumtur që kam zgjedhur Vllazninë se janë ekip më i mirë dhe me karakter, shpresoj që ky të jetë viti ynë. Ndjehet mungesa e teknikut Martini për shkak të dënimit nga Disiplina, por lojtarët janë të motivuar, e kemi objektivin tonë ku duhet të shkojmë, është më mirë kur ai është në pankinë, por janë situata kur duhet të japim më shumë se 100%.

Partizani? Është e domosdoshme fitorja jonë kundër Partizanit, të vazhdojmë me këtë ritëm, të marrim hap pas hapi si një finale. Nuk po mendojmë për titullin kampion, por vetëm për ndeshjen e radhës, do të jetë problem nëse nuk i marrim ndeshjet hap pas hapi.

E ardhmja dhe rikthimi në Korçë? Për momentin as nuk e di ku do të jem në të ardhmen, do ta shohim”, u shpreh 24-vjeçari nga Gana.

Pas dhjetë fitoreve, gjashtë barazimeve dhe katër humbjeve, Vllaznia mban vendin e dytë në klasifikim me 36 pikë, dy më pak se kryesuesit e Egnatias. Nga ana tjetër Partizani me 26 pikë ndodhet në pozitën e pestë.