Autoritetet për zbatim të ligjit në Kosovë janë duke e kryer një operacion në rajonin Prizrenit në lindje të vendit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti. Mehmeti nuk dha hollësi të tjera, duke thënë se ato do të bëhen të ditura pas përfundimit të aksionit të së premtes.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave”, tha ajo.
Derisa pak hollësi janë bërë të ditura lidhur me këtë aksion, Betimi për Drejtësi - medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë – raportoi se mbi 100 zyrtarë janë thirrur për t’u marrë në pyetje dhe se pritet të ketë arrestime.
Ky aksion vjen pas dyshimeve se ka pasur manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kjo madje e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta nisë rinumërimin e plotë të votave, i cili është duke vazhduar tash e disa ditë.
Në fillim të muajit, komisioni gjeti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë pas një hetimi fillestar dhe më pas zbuloi gjatë rinumërimit të pjesshëm se dallimet në vota ishin të mëdha.
Si pasojë, prokurorët filluan të mblidhnin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa komisioni e shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren.
Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.
Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.
Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.
Paria në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 51 për qind të votave.
Ajo pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë dhe ta formojë qeverinë e re, por shkuarja në rinumërim - i cili nuk pritet të ketën ndikim tek votat e partive - mund ta zvarrit procesin./REL
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, konfirmoi të premten, ndalimin e 109 komisionerëve zgjedhore të dyshuar për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve të fundit në Prizren.
Kryeziu u tha mediave në Kosovë se hetimet janë marrë përsipër nga Drejtoria për Krime Ekonomike, duke zbuluar parregullsi serioze gjatë procesit të numërimit të votave. Ai tha se dyshohet se janë shtuar mbi 40 mijë vota dhe janë hequr më shumë se 27 mijë vota, duke krijuar kështu një diferencë prej 68,017 votash.
“Po flasim për një organizim të qëllimshëm, me anë të të cilit është tentuar të përmbyset rezultati i zgjedhjeve,” u tha Kryeziu mediave në Kosovë, duke theksuar se rasti nuk lidhet me gabime teknike apo individuale.
Sipas tij, hetimet e deritanishme kanë zbuluar bashkëpunimin mes komisionerëve zgjedhorë dhe katër partive të mëdha politike, me qëllim ndryshimin e rezultatit përfundimtar të votimit.
Mediat në Kosovë e kanë konsideruar rastin si një një nga skandalet më të rënda zgjedhore të viteve të fundit në Kosovë, për shkak të numrit të lartë të personave të përfshirë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor.
Komente






