Në krye të organizatës së trafikut të drogës dyshohet se ishte 38-vjeçari nga Vlora Neroid Shuhani.
Detaje të reja nga super-operacioni “Garden” i zhvilluar dje, janë mësuar sot nga konferenca për shtyp e mbajtur nga komanda provinciale e karabinierëve të Breshias. Gjithçka nisi me zhdukjen e Roberto Bracchi-t, baristit që sot është 56 vjeç dhe që administronte pikërisht lokalin Giardino në Breshia, emrin e të cilit morën edhe hetimet.
Nga zhdukja e tij policët arritën të zbulonin një trafik të gjerë ndërkombëtar droge. Marijuanë, e cila nga Shqipëria, transportohej deri në brigjet e Kalabrisë me gomone të fuqishme dhe më pas zhvendosej me kamionë në Lombardi dhe në Breshia, si dhe kokainë nga Holanda, e cila transportohej për në Itali me vetura, e fshehur në pjesën e poshtme të automjeteve, apo në të çara të krijuara enkas në kamionet.
Në krye të organizatës së trafikut të drogës që u shkatërrua dje në Breshia të Italisë ndodhej 38-vjeçari shqiptar Neroid Shuhani krahu i djathtë i të cilit hetuesit dyshojnë se ishte femra 51-vjeçare breshiane Daniela Boniotti, e cila ndër të tjera ishte ish e dashura e Bracchi-t dhe bashkë-administratore e “bar Giardino”.

(Në foto Roberto Bracchi, një nga anëtarët e bandës)
Boniotti ndodhej shpesh përkrah Shuhanit edhe kur “boss”-i zhvendosej, kryesisht në Holandë, për të diskutuar dhe për të çuar deri në fund shit-blerjet e drogës. Mes krerëve të organizatës kriminale ishte edhe Luan Shuhani, vëllai i boss-it, si dhe Robert Kasemi, që ishte nipi i tij.
Dyshohet se kjo organizatë ka transportuar drogë nëpërmjet një peshkarexhe e nisur më 26 dhjetor 2016 nga Shqipëria dhe u shkarkua 3 ditë më vonë në Itali. Sasia e drogës së transportuar ishte 2.7 ton marijuanë e presuar, e cila më pas u sekuestrua më 30 dhjetor në qytetin Artena afër Romës.
Rrjeti ishte i mirëorganizuar dhe i rrënjosur mirë në territor. Paratë vinin “lum”, për shpërndarësit dhe kontaktet e tyre viheshin në dispozicion avokatë të super-paguar në çdo rast nevoje, gjyqesh apo problemesh me policinë. Për të kryer marrëveshjet përdoreshin seanca telefonike “të virgrëja”, në kuptimin që përdoreshin vetëm për të shpërndarë dhe më pas zhdukeshin.
Por edhe pse përdoreshin për periudha të shkurtra kohore, bisedat janë përgjuar gjithsesi nga hetuesit. Mes tyre është përgjuar biseda me Daniela Boniotti-n, e cila në telefon i propozonte që marijuanën ta shisnin me 3200 euro kilen (pak më shuëmse 3 euro për gram) ndërsa kokaina ishte e diskutueshme, në bazë të sasisë që do të blihej.
s.k/Shqiptarja.com

VIDEO










