VLORE - Policia e Vlorës ka nisur procedimin penal për 26 shtetas dhe disa inspektorë të bashkive Vlorë dhe Orikum, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe ndërtime të paligjshme duke shkaktuar ndotje masive me inerte në vijën bregdetare të Vlorës dhe Orikumit. Gjatë kontrollit të vijës bregdetare në këto zona policia konstatoi ndotje masive me inerte si dhe ndërtime të paligjshme me qëllim krijimin e moleve dhe hapësirave në brendësi të detit me qëllime përfitimi dhe biznesi.

Policia dha vetëm inicialet e 26 personave kryesisht banorë të Orikumit dhe Vlorës. “Policia ka nisur procedim penal edhe ndaj inspektorëve të Inspektorateve Ndërtimore Urbanistike të Bashkive Vlorë dhe Orikum, në ngarkim të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar si dhe në ngarkim të Inspektorëve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Vlorë pasi inspektorët e këtyre institucioneve nuk kanë reaguar konform ligjit përballë këtyre veprave penale”, thuhet në njoftimin e policisë së Vlorës.

(ns/shqiptarja.com)