VLORE - Banorët e fshatit Xhyerinë në komunën Qendër të Vlorës kanë dhënë alarmin se ata po jetojnë në zonë të minuar. Paniku është përhapur pasi një banor zbuloi se e gjithë sipërfaqja e pronës së tij ishte e “mbjellë” me predha të Luftës së Dytë Botërore. Ai po hapte një gropë që të mbillte disa rrënjë ullinj, kur është ndeshur me hekurin.

Pasi gërmoi në mënyrë të kujdesshme, i zoti i tokës nxori një predhë në një thellësi jo më shumë se 60 cm. Më pas, ai zbuloi se aty ndodhej një grumbull predhash të tjera, të cilat rrezikonin të shpërthenin nëse dëmtoheshin nga gërmimi. I gjendur në këtë situatë, banori i fshatit Xhyerinë njoftoi policinë. Sinjalizimi siç mësohet është dhënë 20 ditë më parë. Sipas banorëve policia ka mbërritur në vendngjarje dhe duke menduar se bëhej fjalë për një numër të vogël predhash, ndërhyri me specialistët e saj për t’i nxjerrë ato nga toka.

Por blutë zbuluan se nëntoka ishte e mbushur me arsenal predhash, çka bëri që operacioni të lihej në mes dhe të vihej në dijeni Ministria e Mbrojtjes. Kjo e fundit çoi specialistë të saj në vend.

Por xhenierët arritën të nxirrnin vetëm një sasi të vogël të predhave, krahasuar me sasinë që mendohet se ende ndodhet në tokë.
Specialistët arritën të nxirrnin qindra predha, por më pas, për të evituar ndonjë tragjedi në fshat, është vendosur që operacioni të rinisë në një kohë tjetër, kur toka të jetë më e thatë.

Pjesa e predhave të nxjerra janë prej 20 ditësh të ekspozuara në sipërfaqe të tokës bujqësore, ndërsa banorët bëjnë apel për ndërhyrje, pasi sipas tyre ato rrezikojnë të shpërthejnë.

Ky fshat është i banuar dhe sipas banorëve shumë fëmijë lozin në këto zona. Ata ankohen se janë të detyruar të ruajnë fëmijët gjithë ditën se mos shkojnë dhe luajnë me predhat, duke shkaktuar në këtë mënyrë ndonjë tragjedi.

Banorët hedhin alarmin se mund të jenë të minuar nga qindra predha, të cilat janë të llojeve dhe madhësive të ndryshme.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)