VLORE- Gomonia 7 metra e gjatë ishte bërë gati për tu trafikuar në drejtim të Italisë. Trafikantët kishin vendosur lëndën narkotike të paketuar në çanta të mëdha të zeza dhe në një moment do të trafikohej nga brigjet e Karaburunit për në Itali.

Policia e Vlorës ka dhënë sot detaje të operacionit të djeshëm ku u sekuestrua gomonia me lëndën narkotike, duke saktësuar se sasia e kapur nuk është 700 kg, siç u tha dje por 347 kg.

Operacioni është ndërmarrë dje (18 nëntor 2013) nga strukturat e Drejtorisë Rajonale për Kufirin & Migracionin Vlorë në bashkëpunim me shërbimet e Guardia di Finanza. Ata kishin  marrë informacion në rrugë operative se një sasi lënde narkotike do të trafikohej nga brigjet e Karaburunit për në Itali.
 
“Menjëherë është organizuar puna dhe kanë filluar kërkimet me shërbime nga toka dhe deti. Gjatë patrullimit shërbimet e policisë në vendin e quajtur “Gjiri i anglezit” kanë konstatuar të ankoruar  mjetin lundrues tip gomone rreth 7 m të gjatë të pajisur me një motor 250 kë fuqi e cila ishte e mbushur me 347 kg lëndë narkotike në pritje për tu trafikuar në drejtim të Italisë.”- thuhet në njoftimin e sotëm për shtyp.
 
Policia ka bërë sekuestrimin e lëndës narkotike dhe të mjetit lundrues. Strukturat e Luftës Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës për këtë rast trafikimi.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)