Vlorë, minareja e Xhamisë së
Plumbit mezi mbahet, asnjë investim

Vlorë, minareja e Xhamisë së<br />Plumbit mezi mbahet, asnjë investim
VLORË - Është një objekt 471-vjeçar. Jo thjesht dhe vetëm kulti, por i klasifikuar edhe monument kulture. Bëhet fjalë për Xhaminë e Plumbit në Vlorë, e cila qëndron në qendër të qytetit. Një xhami kjo e ndërtuar prej afro 5 shekujsh, por që deri më sot as ka marrë një investim.

Për qytetin, xhamia në qendër të tij mbart me vete një pjesë të historisë dhe traditës fetare, e cila daton në vitin 1542, e ndërtuar me rreshta gurësh dhe tullash, që të kujtojnë ndërtimet e kësaj kohe të arkitekt Sinanit në Stamboll. Kjo shquhet për ndërtim të mirë të mureve, për punën e rregullt të kornizave, dritareve dhe portalit të hyrjes dhe veçanërisht minaresë. Është pikërisht jo e fundit, që ka shfaqur së shumti problemet nga amortizimi shumëvjeçar dhe mosndërhyrja për rikonstruksion të këtij objekti.

Këtë shpjegon Hito Shahaj, myftiu i myftinisë së Vlorës, i cili na tregon se është rikonstruktuar pjesërisht, ndërsa tanimë për t’i paraprirë dimrit po bëhet një pastrim i mureve të saj, të gjitha këto kontribute të besimtarëve, pasi insitucionet e larta fetare apo ato kulturore në nivel lokal e qendror nuk kanë akorduar asnjëherë fonde të mjaftueshme për t’i dhënë faqen e duhur këtij objekti të veçantë, me gjithë kërkesat  e shumëpërsëritura të myftinisë së Vlorës.

Prej disa kohësh problematika kryesore është dëmtimi i profilit mbajtës të minaresë së kësaj xhamie rreth 24.5 metra e lartë, e cila është amortizuar së tepërmi në skelerinë e saj të brendshme, por duket se edhe organizmat jovendore që investojnë në objektet e kultit të periudhës osmane në gjithë Ballkanin këtë objekt pritet ta kenë në axhendën e tyre për rikonstruksion tërësor vetëm pas vitit 2014, çka mund të ndikojë në dëmtimin e saj të parikuperueshëm.

Ndërkohë, sinjalet e dhëna Ministrisë së Kulturës apo Bashkisë së Vlorës ende nuk kanë marrë përgjigje. 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024