VLORE- Punimet për rikonstruksionin e tunelit të Ujit të Ftohtë në bregdetin e Vlorës, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë, pritet të përfundojnë brenda muajit maj.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, Edmond Ibro, bëri të ditur për ATSH-në se, aktualisht është realizuar më shumë se 50 për qind e volumit dhe po punohet me ritme normale. Ai shtoi se, janë të gjitha mundësitë që ky objekt shumë i rëndësishëm për infrastrukturën të përfundojë përpara nisjes se sezonit turistik.

Ky projekt me një vlerë financiare prej 75 milionë lekë, që financohen nga qeveria shqiptare, do të zgjidhë një nga problemet më të rëndësishme të qarkullimit në Vlorë dhe gjithë bregdetin. Projekti parashikon zgjerimin dhe rikonceptimin e infrastrukturës së këtij objekti, duke e përshtatur atë me standarde bashkëkohore. Punimet synojnë përmirësimin e parametrave të këtij tuneli në lartësi dhe gjerësi, të pamjes estetike dhe gjendjes funksionale të brendshme, si dhe rikonceptimin e infrastrukturës rrugore në hyrje dhe dalje të tij.
Me përfundimin e punimeve, do të normalizohet qarkullimi i automjeteve në këtë tunel edhe në momentet e fluksit më të lartë, në periudhën e verës. Në gjendjen aktuale, gjatë sezonit të verës, qarkullimi vështirësohet mjaft dhe shpesh ndërpritet, duke krijuar probleme gjatë gjithë gjatësisë së rrugës së bregdetit.
Aktualisht, për të mundësuar punimet, qarkullimi i automjeteve përmes këtij tuneli është bllokuar tërësisht dhe lëvizja e tyre realizohet në të dy kahjet ne segmentin rrugor që përshkon këtë zonë në pjesën e sipërme të rezidencës qeveritare.

-Tuneli i Ujit të Ftohtë, një nga simbolet e Vlorës-

Tuneli i Ujit të Ftohtë përfaqëson një objekt me mjaft rëndësi jo vetëm për infrastrukturën, por edhe për historinë e qytetit të Vlorës. Ai është ndërtuar në periudhën 1916-1918, nga trupat ushtarake italiane që ishin instaluar në Vlorë në kuadrin e Luftës së Parë Botërore dhe nga robërit austriakë, që zbatuan punimet për ndërtimin e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë. Tuneli u realizua sipas një projekti, me autor një inxhinier italian, mjaft të përparuar për kohën. Në ato parametra, ai përballoi deri para pak muajsh të gjithë fluksin e qarkullimit të automjeteve në të dy kahjet e rrugës kombëtare të bregdetit të Jugut.
Gjatë këtyre dekadave, në të janë bërë vetëm ndërhyrje të vogla që kanë synuar mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore të tij. Në hyrje të tunelit ndodhet burimi i famshëm i Ujit të Ftohtë, që furnizon me ujë të pijshëm qytetin.
(sg/atsh/shqiptarja.com)