VLORË- Pas 5 ditësh mungesë të ujit ka nisur furnizimi i një pjese të qytetit të Vlorës, akutalisht zona e Lungomares. Pjesa tjetër e qytetit pritet të furnizohet me ujë duke filluar nga ora 17:00 e pasdites së sotme, siç bëri me dije edhe drejtori i Ujësjellësit Ermal Murati. Megjithatë qytetarëve u bëhet apel që në 48 orët e para të mos e pëdorin për konsum dhe gatim.

Me mbërritjen e pajisjeve të porositura në Turqi, gjatë natës dhjetëra punonjës të ujësjellës kanalizimeve në Vlorë punuan për riparimin e tubacionit kryesor, nga çarja e të cilit uji i pijshëm mungonte.

Ndërhyrja për rregullimin e tubit përfundoi rreth orës 04:00 të mëngjesit, moment në të cilin filloi edhe mbushja e depove. Autoritetet bëjnë me dije se furnizimi po kryhet ende me kapacitet të reduktuar, pasi po testohen pajisjet e reja të instaluara.

Një ditë më parë qytetarët mbajtën edhe një protestë para bashkisë, ku patën edhe përplasje me Policinë. Të revoltuar për këtë situatë ata hodhën letra higjenike dhe vezë para mjedisit të Bashkisë. Ndërkohë Prokuroria e Vlorës bën me dije se nuk ka nisur hetim për këtë rast, pasi deri në këto momente nuk i është referuar asnjë material nga policia. 

Qyteti bregdetar i Vlorës mbeti pa ujë të pijshëm pas një defekti në tubin kryesor që furnizon depot e qytetit, me diametër 1000 milimetra.

Nga ana tjetër Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve Faluers Shoshi, tha se çarja e tubacionit erdhi si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Ai theksoi se tubi me diametër 1000 milimetra duhej të ishte gize ose çeliku dhe jo plastik.

“Një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin. Tubi aktual është plastik dhe aktualisht nuk përdoret më. Tani, për këtë diametër përdoren tuba gize dhe çeliku. Gjithsesi, kjo është ndërhyrja e tretë riparuese që bëhet. Këtë herë jemi më të kujdesshëm dhe nuk po e hapim deri në fund linjën, për shkak se pamë që presioni i lartë mund ta dëmtojë”, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:50
Prej pesë ditësh pa ujë/ Drejtoria e Ujësjellësit Vlorë mesazh për qytetarët: Në 48 orët e para mos e përdorni për konsum dhe gatim

1766991120_vlore.JPG

Duke filluar nga pasditja e sotme qyteti Vlorës do të furnizohet me ujë të pijshëm pas 5 ditësh mungesë.

Megjithatë edhe pas kësaj situate Drejtoria e Ujësjellësit njofton qytetarët që 48 orët e ardhshme uji të mos të përdoret për konsum dhe gatim.

Njoftimi i plotë:

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, njofton qytetarët për përfundimin e riparimit të avarisë së rëndë në rrjetin e furnizimit me ujë.

Sistemi i prodhimit është vendosur në funksion prej orëve të para të mëngjesit.

Zona 24 orëshe ka nisur furnizimin me ujë.

Pjesa tjetër e qytetit do të furnizohet në orarin e pasdites.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor do të ndjek protokollin zyrtar për kontrollin e cilësisë së ujit dhe matjen e parametrave.

Ne keto kushte kërkojmë mirëkuptimin tua,j që uji të përdoret vetëm për përdorim të jashtëm për 48 orët e para, jo për konsum dhe gatim.

Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e krijuar gjatë këtyre ditëve dhe ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj!

Ora 09:03
Prej pesë ditësh pa ujë, drejtori i Ujësjellësit Vlorë: Pas Lungomares, furnizimi me ujë në pjesën tjetër të qytetit do të nisë pasditen e sotme, ora 17:00 (VIDEO)

Drejtori i Ujësjellësit Vlorë pas riparimit të defektit të tubacionit ka deklaruar se në orët në vijim situata do të normalizohet në orët në vijim.

“Jemi në fund të avarisë. Ka filluar furnizimi i depos së qytetit. Me pjesët që erdhën nga Turqia filluam menjëherë instalimin e tyre që përfundoi rreth orës 4 të mëngjesit. Jemi duke monitoruar situatën, jemi Ok.

Zona e Lungomares po furnizohet me ujë. Rreth orës 17:00 pasdite do të furnizohet gjithë qyteti. Ju kërkojë ndjesë qytetarëve për këtë situatë të krijuar. Pati një angazhim maksimal nga të gjithë, AKUK, bashkia dhe qeveria shqiptare. Natyrisht që më pas do të ketë një vlerësim për të gjithë këtë situatë", tha Ermal Murati.