Vlora e braktis, Kokëdhima
sjell autobusë nga Saranda

Vlora e braktis, Kokëdhima<br />sjell autobusë nga Saranda
Takimi i thirrur sot pasdite në Vlorë nga Koço Kokëdhima, ka dështuar. Edhe pse njoftimet ishin bërë në emër të Partisë Socialiste, dhe jo në emër të deputetit Kokëdhima, asnjë pjesë drejtuese e strukturës së PS-së nuk ka marrë pjesë në takim, dhe ata pjesëmarrës në takim, nuk kanë qenë pjesë e ngushtë e PS-së, figura me ndikim apo funksione drejtuese në PS, por të afërm dhe bashkëpunëtorë personalë e jo partiakë të tij.

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se pjesë e takimit në teatrin “Petro Marko” kanë qenë punonjës së kompanisë së tij të internetit, si dhe punonjës të kompanisë private të kryetarit të Këshillit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj.
 
Burimet bëjnë me dije, se Danaj është i vetmi funksionar vendor i PS-së që ruan “besnikërinë” ndaj Kokëdhimës dhe ju ka bërë presion punonjësve të administratës  të Këshillit të Qarkut të jenë të pranishëm në takim.

Danaj, i cili është i zgjedhur me votë, duket se po e përdor këtë imunitet për të dalë kundër partisë së tij. Më flagrantja, është se pjesë e takimit kanë qenë dy autobusë me njerëz të ardhur nga Saranda, ku Kokëdhima ruan ende influencën e tij. 
 
Më herët, Anduel Tahiraj, kryetar i Partisë Socialiste në degën e Vlorës, u ka bërë thirrje anëtarëve të kësaj force politike që të bojkotojnë takimet e ish-deputetit Koço Kokëdhima.

"Duke qenë se më pyesin anëtarë të PS-së lidhur me njoftime që marrin në telefon në emër të Partisë Socialiste për një mbledhje të organizuar nga ish-deputeti Kokëdhima, dua t'i sqaroj të gjithë se kjo mbledhje s'ka asnjë lidhje me PS-në e Vlorës, s'ka asnjë lidhje me planin e punës të miratuar nga kryesia e PS-së, s'ka asnjë lidhje me objektivat organizative dhe qëllimin elektoral të Partisë Socialiste.

Prej kohësh, ish-deputeti është vënë në një lëvizje të pashpjegueshme paralele me PS dhe duke shprehur keqardhjen për këtë lëvizje, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të familjes sonë politike të mos shpërqendrohen nga objektivat dhe qëllimi ynë i qartë", ka shkruar në Facebook, Anduel Tahiraj.
 
Këtë qëndrim e mbështeti edhe deputeti Fatmir Toçi. “Mbështes qëndrimin e Anduelit nga pozitat e drejtuesit të PS të Vlorës dhe e inkurajoj vazhdimisht në vendimmarrjet e tij në përputhje me Statutin, rregullat e normat e familjes sonë politike. Kushdo është i lirë të bëjë takime e lëvizje për qëllime të caktuara apo interesa të tij a dikujt tjetër.

Por është e dënueshme edhe me ligj të përdoret emri apo simbole të një subjekti që nuk i takon dhe nuk të ka autorizuar, siç edhe ka ndodhur pak ditë më parë.

Aq më tepër të flasësh në emër të ndonjë subjekti kur as nuk je pjesë e këtij formacioni. Vlonjatët, dhe jo vetëm socialistët vlonjatë, kanë qenë gjithmonë të mençur e të kthjellët dhe e dinë si duhet të sillen në të tilla raste, aq më tepër pas një periudhe kaotike gati 3-vjeçare në jetën e PS në Qarkun e Vlorës”,-tha Toçi.



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai