Në pikun e sezonit të zjarreve për shkak të thatësirave dhe temperaturave të larta dhe në një kohë kur Vlora prej 10 ditësh po digjet nga zjarret, helikopterët që mundësojnë ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e flakëve janë dërguar për remont. Atëherë kur helikopterët duhen pikërisht për shuarjen e flakëve sidomos në terrene të vështira, ata nuk janë të disponueshëm duke lënë plotësisht zbuluar nevojat për ndërhyrje. Zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, e pranoi se për momentin nuk ka asnjë helikopter në dispozicion, duke këmbëngulur se nuk ka qenë i nevojshëm përdorimi i tyre, pasi nuk kemi të bëjmë me një situatë emergjence, ndërkohë prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj kërkoi ndërhyrjen nga ajri për të "frenuar" flakët.

Kjo gjë ka bërë që prej 10 ditësh disa vatra zjarri të aktivizohen në Karaburun, Tragjasë, Radhimë, Dukat, fshatin Xhyherinë, ku flakët kanë përpirë gjithçka që u ka dalë para duke i shkaktuar një dëm të madh mjedisor.

“Unë e kam ndjekur nga afër operacionin kam qenë në Ksamil dhe tani jam në jug, në Ksamil ska qenë e nevojshme përdorimi i helikopterit ndërmjet forcave të armatosura. Ishin të mjaftueshme për të shuar flakët dhe parajamëruam një katastrofë që mund të ishte shumë e rrezikshme. Zgjidhja nuk janë helikopterët i kemi përdorur dhe në raste të tjera. Është në remont shumë shpejt do të jetë në gjendje pune, terreni është i vështire aty ku territory mund t ëmbuloht me mjete të tjera. Ne nuk kemi asnjë situatë jashtë kontrollit i bëjnë thirrje perfektit të Vlorës dhe të gjithë në Shqipëri të jenë të kujdesshëm në territorin e tyre. Nëse të gjithë instancat do të bashkëpunojnë me njëri tjetrin sdo ketë nevoje për këto situata, janë të parashikueshme situate e zjarrit në këtë periudhë të nxehtë. Deri tani është përballuar me burime njerëzore dhe mjete të tjera të përballueshme. E kam ndjekur gjithë natën operacionit e Ksamilit dhe falë punës u arrit që të izolohej zjarri për 7 orë e gjysmë. Nuk është çështje helikopterësh, helikopteri është në remont dhe do të përdoret atëherë kur duhet të përdoret. Do përdoret kur të jetë e nevojshme”, tha zv.ministrja në Report Tv.

Për situatën e krijuar nga zjarret në Vlorë ku kërkohet ndërhyrje nga ajri është përgjegjësi e ministrisë së Mbrojtjes, por Dallandyshe Bici nuk ka pranuar dhe e ka pasuar topin te pushteti vendor duke thënë se do ishte më mirë që zjarret të ishin parandaluar. E teksa zv.ministrja e Mbrojtjes pretendon se eprori i saj Niko Peleshi po e ndjek situatën e zjarreve nga afër, ende nga ministri nuk ka asnjë reagim. Ai nuk i është përgjigjur interesimit të vazhdueshëm të Report Tv se si do të veprohet për vënien nën kontroll, ndërsa i vetmi reagim i tij lidhur me zjarret, i përket dy ditëve më parë në rrjetet sociale. Postimi i fundit i z.Peleshi i bërë gjatë paradites, tregon se ai ndodhet në Tiranë, ku ka qenë i pranishëm në një stërvitje në Zall Herr.  Në lidhje me situatën mungon edhe përgjigja nga kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.

“Zonat e mbrojtura kën përgjegjësinë e tyre sepse duhet të kishin marrë masa të mëparshme. Ne nuk jemi këtu për të ndarë përgjegjësitë por për të bashkëpunuar të gjitha institucionet së bashku. Jemi në verë dhe është e parashikueshmë një gjë e tillë. Do ishte më mirë të parandaloheshin dhe parandalimi vjen nga pushteti vendor sepse ai e  administron territoin e vetë sepse e ka shtëpinë e vetë. Unë jam në kontakt gjithë kohës me Peleshin pasi siç thashë jemi të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë unë po mbuloj një pjesë dikush tjetër një tjetër asnjë nga ne ska filluar pushimet. Ne jemi në të gjithë territorin të shpërndarë dhe po e ndjekim nga afër çdo lloj situate, po punohet në të gjitha zonat dhe skemi ndonjë situatë agravante”, tha Bici.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Forcave Zjarrfikësve, Dilaver Laçi, tha më herët në Report Tv se aktualisht në vendin tonë janë mbi 80 vatra zjarri dhe se Emergjenca Civile duhet të ngrenë në ajër helikopterët për të shuar flakët.